Tuz – Këshilltarët e Kuvendit të Komunës së Tuzit në seancën e katërt të mbajtur më 20 korrik 2023, unanimisht miratuan vendimin mbi ngritjen e përmendores në Tuz të heroit kombëtar Gjergj Kastriotit-Skendërbeut.
Në dokumentin e propozim-vendimit, përkatësisht në nenin 1 të tij, theksohet se përmendorja do të jetë prej bronzi të derdhur, dimensionet e bustit në kalë janë: lartësia 5m, lartësia e përgjithshme me shpatë në dorë nga piedestali arrin 6m, lartësia e kalit nga këmba në kokë është 4 m, dhe gjatësia 4,20 m.
Ndërkaq, sipas vendimit në fjalë, përmendorja do të vendoset në një piedestal prej blloqesh guri natyror me përmasa 4m gjatësi, 3m lartësi dhe 2m gjerësi.
“Monumenti përkujtimor nga neni 1 i këtij vendimi ngrihet në Tuz, rruga Tuz, nr 3, në parkkun pranë SHMP „25 Maji“, në parcelën kadastrale nr 2315/1 kk Tuz. Në ballinën e piedestalit të përmendores do të shkruhet me shkronja latine kjo përmbajtje: „GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU 1405 – 1468 ĐERĐ KASTRIOTI SKENDERBEG 1405 – 1468″. Afati për vendosjen e përmendores është viti 2023”, theksohet në vendim.
Më tutje njoftohet se monumentin përkujtimor nga neni 1 i këtij vendimi e vendos Komuna e Tuzit e cila është e obliguar për mirëmbajtjen e këtij monumenti përkujtimor.
“Për realizimin e këtij vendimi do të përkujdesen organet e vetëqeverisjes lokale kompetente për kulturën, gjegjësisht për planifikimin dhe rregullimin hapësinor. Ky vendim hynë në fuqi me ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare”, theksohet në këtë vendim.
Në lidhje me miratimin e këtij vendimi, kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj ka thënë se Gjergj Kastrioti – Skënderbeu është udhërrëfyesi i kombit shqiptar, kryeheroi dhe frymëzimi ynë i fuqisë dhe trimërisë, krenaria e qëndresës dhe bashkimit të shqiptarëve.
“Do të vendoset në vendin më të bukur që ka Malësia, në sheshin qendror, që njëkohësisht edhe sheshi do të fitojë emrin “Sheshi Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”. Në tokën e vetë shqiptare, do të rrijë krenar përballë Bratilës së Ded Gjo’ Lulit, pranë institucionit më të lartë arsimor, gjimnazit tonë, në rrugën kryesore të qytetit ku gërshetohen shkolla fillore, kopshti, Qëndra Kulturore-Informative “Malësia”, Shtëpia e shëndetit, si dhe së shpejti edhe të stadiumit të ri të qytetit. Në këtë mënyrë Gjergj Kastrioti – Skënderbeu nderohet duke e respektuar të kaluarën por edhe të shërbejë që të jetë aty ku gërshetohën e ardhmja dhe zhvillimi”, është shprehur Gjeloshaj.
Ai ndër të tjera ka njoftuar se ngritjen e përmendores do ta realizojnë së bashku me diasporën si projekt që, siç u shpreh ai, është i shumëpritur nga ata.
t. u.