Ulqini të krijojë identitetin e tij kulturor

Ulqin – Ministri i Kulturës, prof. Mr. Janko Lumoviq, ka thënë se misionin e institucionit që drejton e sheh në forcimin e politikave lokale të qyteteve dhe krijimin e identiteteve kulturore të qyteteve.
Ai ka vizituar të hënën komunën e Ulqinit, ku është pritur nga kryetari i saj Nazif Cungu dhe bashkëpunëtorët e tij, ka vizituar Kalanë e Ulqinit, Qytetin e Vjetër të Shasit dhe është takuar me krijues të Ulqinit dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare që merren me kulturë.
“Vizita ime dhe e bashkëpunëtorëve të mi sot ishte rast për të inicuar të gjitha lidhjet e bashkëpunimit sepse gjithmonë më pëlqen të them se qyteti është bartës i kulturës”, është shprehur Lumoviq në konferencën për shtyp në fund të vizitës.
Ai ka thënë se qëllimi i vizitës së tij në Ulqin është që të njihet më mirë me potencialet e zhvillimit të kulturës dhe projektet në fushën e kulturës në këtë qytet.
“Vizita e sotme tregon se sa e rëndësishme është që të zhvillojmë politikën kulturore dhe që të krijojmë imazhin e dëshirueshëm të çdo qyteti, sidomos të Ulqinit, ku përpos formave bazë të përmbushjes së nevojave kulturore të qytetarëve, të mendojmë edhe për projektet ambicioze për shkak të të cilëve do të vihet në Ulqin”, ka thënë ministri i Kulturës.
Lumoviq ka theksuar se me kryetarin e Komunës së Ulqinit kanë rënë dakort që të definojnë programin konkret të punës për këtë vit.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Nazif Cungu, ka thënë se me ministrin e Kulturës, Janko Lumoviq, kanë biseduar për ato pika të cilat tash disa vite janë duke i promovuar.
“Në rend të parë është Kalaja e Ulqinit, që ajo të futet në UNESCO. Ne si pushtet lokal, ashtu edhe Ministria e Kulturës, t’i bëjmë të gjitha përgatitjet që definitivisht të plotësohen kushtet që janë shumë të rëndësishme”, ka theksuar ai.
Kryetari i Komunës së Ulqinit ka treguar se me ministrin e Kulturës kanë folur edhe për konservimin e disa objekteve në lokalitetin e Shasit dhe se kjo ministri ka ndarë 50 mijë euro për konservimin e një kishe në këtë lokalitet.
Në takim me krijuesit, artistët dhe përfaqësuesit e shoqatave kulturore nga Ulqini, ministri Lumoviq është shprehur i hapur për bashkëpunim, duke i ftuar ata që të inicojnë projekte kulturore me vlerë.
Vizita e ministrit të Kulturës në Ulqin ishte e para që ai zhvillon në një komunë që prej marrjes së detyrës së ministrit dy muaj më parë. i.k.

Të fundit

më të lexuarat