Ulqini është qytet prej shekujsh dhe nuk ka formula as analiza që mund t’ia heqin atë status

Ulqin – Aleanca Shqiptare përmes një kumtese për media ka deklaruar se projektligji për vetëqeverisjen lokale dhe deklaratat e zyrtarëve të Ministrisë së Administratës Publike në të cilat pretendohet se Ulqini është i vetmi vend në bregdetin e Malit të Zi që nuk mund të fitojë statusin e qytetit, janë zhgënjyese për çdo ulqinak dhe për të gjithë shqiptarët në Mal të Zi.
“Sepse me këtë akt mohohet historia e dokumentuar e Ulqinit si një qytet i rëndësishëm në Mesdhe për 2500 vjet. Ky qytet është shquar për konkurrencën dhe zhvillimin e tij, administratën e tij, tregun vibrant, hotelerinë, anijendërtimtarinë dhe financat e shëndosha. Kujtojmë që Ulqini deri në vitin 1426 kishte monedhën e vet me mbishkrimin e qartë “Moneta De Dulcino”. Fatkeqësisht, sipas MAP-së, tani nuk mund ta ketë statusin e qytetit, ndërsa, për ironi, atë status e kishte që kur iu dorëzua Malit të Zi në vitin 1880”, thuhet në kumtesën e Aleancës Shqiptare.
Më tutje theksohet se nuk ekzistojnë formula dhe llogaritje që mund ta degradojnë statusin ligjor dhe faktik të Ulqinit.
“Ironikisht, pas projektligjit qëndron një ministër nga radhët e përfaqësuesve të popullit shqiptar. Mbrojtja e një zgjidhjeje të tillë të shtrembër është fyese për të gjithë ulqinakët dhe për të gjithë shqiptarët në Mal të Zi”, vijon kumtesa e cila është firmosur nga deputeti i Aleancës Shqiptare, Ilir Çapuni.
Ndërkaq, thuhet se Aleanca Shqiptare do të paraqesë në sugjerimet e saj propozuesit e këtij ligji dhe do të marrë pjesë në përmirësimin e këtij projektligji përmes përfaqësuesve të saj në Qeveri dhe në Kuvendin e Malit të Zi.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat