Bordi i Drejtorëve ekzekutivë të Bankës Botërore ka miratuar huadhënien në shumën 33 milionë euro për Malin e Zi, për fuqizimin e sektorëve të peshkimit, bujqësisë dhe ushqimit nëpërmjet modernizimit të infrastrukturës, avancimit të shërbimeve dhe harmonizimit me standardet e Bashkimit Evropian.
Nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë Ujore kanë bërë të ditur se fondet do të përdoren përmes Projektit për zhvillimin e sektorit të peshkimit dhe agroushqimit rezistent ndaj ndryshimeve klimatike, dhe fokusi është në rritjen e konkurrueshmërisë së sektorit, zvogëlimin e humbjeve në zinxhirin e furnizimit dhe forcimin e institucioneve që duhet të zbatojnë rregullat e BE-së në bujqësi dhe zhvillimin rural.
Investimi kryesor në kuadër të këtij projekti është ndërtimi i portit të parë modern të peshkimit në Mal të Zi, i cili do të ndërtohet në Kepin e Gjeranave, në fillim të Plazhit të Madh të Ulqinit.
Siç thuhet në njoftimin për shtyp, porti do të ketë objekte mbështetëse që duhet të rrisin qëndrueshmërinë dhe konkurrueshmërinë e peshkatarëve, duke përfshirë frigoriferë dhe njësi ftohjeje, shërbime paketimi dhe shpërndarjeje, shërbime bazë mirëmbajtjeje dhe riparimi, sisteme furnizimi me akull etj.
“Qëllimi është, ndër të tjera, të zvogëlohen humbjet pas peshkimit, të përmirësohet cilësia e produktit dhe të lehtësohet qasja në tregje me vlerë më të lartë”, thekson njoftimi.
Krahas ndërtimit të portit të peshkimit në Ulqin, pjesë e projektit që mbështetet nga fondet e Bankës Botërore janë edhe krijimi i zyrave rajonale të Agjencisë për pagesat në sektorin e bujqësisë në Nikshiq dhe Tivar, si dhe krijimi i një sistemi për menaxhimin e nus-produkteve me prejardhje shtazore.
(Kohapress)
