Ulqini dhe Velipoja më afër

Tiranë – Qeveria e Shqipërisë ka planifikuar me buxhetin e vitit 2018 ndërtimin e rrugës Shëngjin – Velipojë.
Këtë e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama, në një takim të mbajtur të mërkurën në Tiranë me përfaqësues të kompanive dhe sipërmarrjeve për modernizimin e infrastrukturës, përmes Buxhetit 2018 dhe Programit “1 Miliardë për Rindërtim”.
“Do të vazhdojmë me ndërtimin e aksit të ri që lidh Shëngjinin me Velipojën, në mënyrë që të kemi një rrugë turistike në krahun e Rërës së Hedhun deri në plazhin e Shëngjinit dhe pastaj, lidhja e drejtpërdrejtë me Malin e Zi të jetë shumë e shkurtër dhe mundësia e zhvillimit turistik elitar në atë zonë të hapët, duke krijuar edhe aty një hapësirë për zhvillim turistik, ekonomik dhe punësim”, ka thënë në fjalën e tij kryeministri Rama.
Ndërtimi i kësaj rruge do të nxiste ndërtimin e urës mbi lumin Buna dhe hapjen e pikës së re kufitare, që do të lidhte Ulqinin dhe Velipojën e Shëngjinin, rrjedhimisht do të shkurtonte distancën ndërmjet Ulqinit dhe qyteteve të Shqipërisë e Kosovës.
Realizimi i këtij projekti do të kishte ndikime pozitive të shumëfishta dhe do të ishte me interes për zhvillimin e turizmit në Ulqin, por edhe në pjesën e Shqipërisë. Ai po ashtu do të lehtësonte qarkullimin në pikën kufitare Sukubinë-Muriqan.
Por realizimi i këtij projekti vështirë se do të ndodhë në një të ardhme të afërt pasi që Autostrada e Kaltër apo Adriatiko-Joniane që pritet të ndërtohet në brigjet e Detit Adriatikut dhe Detit Jon, duke bashkuar segmentin dalmat me brigjet greke, e ka anashkaluar Ulqinin. Segmenti malazez i kësaj autostrade pritet të kalojë nga pika kufitare Nudo me Bosnjë e Hercegovinën, duke vazhduar në Gjirin e Kotorrit, për të kaluar nëpër Podgoricë, duke përfunduar në pikën kufitare Bozhaj – Hani i Hotit në Liqenin e Shkodrës.
Sidoqoftë, ndërtimi i aksit rrugor Shëngjin – Velipojë përbën një hap konkret të rëndësishëm drejt rrugës së re që do të lidhte Ulqinin me Shqipërinë. (Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat