Udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor nënshkruan të enjten tri marrëveshje për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, të diplomave universitare dhe të kualifikimeve profesionale, në kuadër të samitit të Procesit të Berlinit, nikoqir i të cilit ishte kancelari gjerman Olaf Scholz.
Marrëveshjet janë nënshkruar nga kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, kryeministri i Shqipërsë, Edi Rama, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ai i Bosnjë e Hercegovinës, Zoran Tegeltija, ai i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq. Përpos tyre në samit morën pjesë edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, udhëheqës të tjerë të Bashkimit Evropian dhe të vendeve të BE-së.
Marrëveshjet e nënshkruara nga kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor pas gati dy vjet negociatash, duhet fillimisht të ratifikohen para se të hyjnë në fuqi.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, e konsideroi nënshkrimin e marrëveshjeve një “sukses jashtëzakonisht i madh për qytetarët e rajonit”, ndërsa shtoi se vendet e Ballkanit Perëndimor do të kenë përkrahjen e Gjermanisë përgjatë gjithë procesit.
“Ky samit tregon se dëshira e përbashkët për të arritur marrëveshje është shumë e madhe, andaj Gjermania e përkrah fuqishëm këtë proces”, u shpreh Scholz në konferencën për shtyp pas nënshkrimit të marrëveshjeve.
Ai shtoi se ky është një hap i rëndësishëm drejt anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka theksuar se bashkëpunimi rajonal i vendeve të Ballkanit Perëndimor është faktor kyç i stabilitetit politik, sigurisë dhe prosperitetit ekonomik dhe se ideali i tij si politikan është rajoni i qetë i Ballkanit Perëndimor pa kufij, në Bashkimin Evropian.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e cilësoi rezultatin e arritur në Procesin e Berlinit si “historia e bukur që ka qenë në zemër të projektit evropian”.
Marrëveshja për njohjen reciproke të letërnjoftimeve mundëson lëvizjen e lirë, pa viza, edhe mes Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës. Ky është cilësuar një lajm i mirë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Nga Prishtina në Sarajevë dhe nga Sarajeva në Prishtinë do të mund të udhëtohet vetëm me letërnjoftime, që është lajm shumë i gëzueshëm për dy vendet tona”, ka thënë Kurti në konferencën për media.
Në këtë samit është diskutuar edhe për bashkëpunimin rajonal, tregun e përbashkët rajonal dhe sigurinë e furnizimit.
Shqipëria do të jetë nikoqire e takimit të radhës mes udhëheqësve të BE-së dhe atyre të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet më 6 dhjetor 2022 në Tiranë.
Procesi i Berlinit ka nisur në vitin 2014 me iniciativën e kancelares së atëhershme gjermane, Angela Merkel.
(Kohapress/REL)
