U theksua rëndësia e investimeve të SHBA-ve në Mal të Zi

Podgoricë – Zëvendëskryeministri për politikë ekonomike, njëherësh ministër i zhvillimit ekonomik, Nikë Gjeloshaj, në takimin që zhvilloi të martën (7 nëntor 2023) me ambasadoren e SHBA-ve në Mal të Zi, Judy Rising Reinke, ka theksuar rëndësinë e investimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Mal të Zi, duke thënë se ai do të bashkëpunojë ngushtë me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Mal të Zi, në rritjen e investimeve dhe në praninë e kompanive amerikane në Mal të Zi.
“Në këtë takim është diskutuar për ngjarjet aktuale politike dhe për sfidat të cilat e presin qeverinë e re, të 44-të, të Malit të Zi”, njoftohet nga Zyra e nënkryetarit të Qeverisë për politikë ekonomike.
Ndërkaq, ambasadorja Judy Rising Reinke, i ka uruar suksese zv/kryeministrit për politikë ekonomike, njëherësh ministrit të zhvillimit ekonomik, Nikë Gjeloshajt në përmbushjen e detyrimeve qeveritare në zbatimin e reformave të nevojshme për pranimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian.
“Nënkryetari i Qeverisë dhe ministri i zhvillimit ekonomik, Gjeloshaj ka theksuar se Qeveria e Malit të Zi është tërësisht euroatlantike dhe proamerikane, dhe se do të veprojë plotësisht në këtë kapacitet, me qëllim që të mbesë partner kredibil në NATO dhe anëtare e ardhshme proaktive e Bashkimit Evropian” thuhet në njoftim.
Ky është takimi i parë që, z. Nikë Gjeloshaj zhvillon me ambasadoren e SHBA-ve në Mal të Zi, Judy Rising Reinke nga posti i zëvendëskryeministrit për politikë ekonomike dhe ministrit të zhvillimit ekonomik.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat