U ndërmor aksioni për largimin e depos së gomave nga kanioni i Lumit Cem

Depo të tilla ilegale të krijuara vend e pavend janë bërë një problem madhor në shumë lokacione në Mal të Zi, ku institucionet shtetërore dhe sektori joqeveritar janë angazhuar herë pas here, për të apeluar te qytetarët që të mos kryejnë veprime të tilla, të cilat dëmtojnë në masë të madhe ambientin jetësor

Në Ditën Ndërkombëtare të Tokës, Komuna e Tuzit në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe zhvillimit të Veriut dhe Agjencinë për Mbrojtje të Mjedisit Jetësor, realizoi një aksion për heqjen e gomave të hedhura ilegalisht në kanionin e Lumit Cem, në pjesën e epërme të vendbanimit- Cemi i Trieshit, afër kufirit me Shqipërinë.
Për ta zgjidhur këtë problem dhe për të vetëdijesuar personat e papërgjegjshëm që kryejnë akte të tilla të jashtëligjshme dhe të shëmtuara në ndotjen e mjedisit jetësor, e veçanërisht në kanionin e Lumit Cem, këtij monumenti natyror, të hënën më 22 prill 2024, u ndërmor aksioni për largimin e këtyre gomave nga kjo hapësirë, të cilat përveç dëmit të madh që i shkaktojnë mjedisit, kanë dhënë një imazh të shëmtuar për vet Lumin Cem, këtë lum unik me vlera të jashtëzakonshme.
Kreu i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj i cili qe i pranishëm gjatë këtij aksioni, në prononcimin për gazetën “Koha Javore” tha se me angazhimin e Komunës së Tuzit, përkatësisht të SHPK “Komunale” e cila bëri pastrimin e kësaj depoje, përcillet një mesazh vetëdijesimi, jo vetëm për qytetarët e Malësisë por për të gjithë qytetarët e Malit të Zi.
“Po dërgojmë një mesazh të rëndësishëm se, duhet ta ruajmë ambientin, duhet të pastrojmë pjesët e papastruara në komunën tonë por edhe në Mal të Zi, për ruajtjen e vlerave në aspektin ekologjik. Lumi Cem duhet të ruhet me të gjitha vlerat e tij, u shpreh Gjelaj.
Ai theksoi se nuk kanë informacion se kush mund ta ketë shkaktuar këtë incident ekologjik në kanionin e Lumit Cem, megjithatë, shtoi ai, instancat komunale dhe shtetërore do të angazhohen për ta zbardhur dhe për t’i ndëshkuar përgjegjësit e kësaj vepre.
Kreu i Komunës së Tuzit tha më tutje se institucioni që përfaqëson, do të angazhohet sërish në vazhdimin e këtij aksioni, deri në largimin e plotë të kësaj depoje gomash.
Kjo depo relativisht e përmasave të mëdha me goma automjetesh jashtë përdorimi, ka mbi tre vjet që ka zënë vend në këtë lokacion, dhe ky problem disa herë është bërë objekt i reagimit të organeve kompetente dhe shoqatave joqeveritare që merren me mbrojtjen e mjedisit jetësor, të cilat kanë apeluar që të bëhet një zgjidhje në këtë drejtim.
Depo të tilla ilegale të krijuara në vend e pavend janë bërë një problem madhor në shumë lokacione në Mal të Zi, ku institucionet shtetërore dhe sektori joqeveritar janë angazhuar herë pas here, për të apeluar te qytetarët që të mos kryejnë veprime të tilla, të cilat dëmtojnë në masë të madhe ambientin jetësor.
Në këtë aksion nga kanioni i Lumit Cem u larguan afro treqind goma të cilat janë deponuar në depon sanitare rajonale “Mozhura” në Tivar.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat