U miratuan vendime kyçe për zhvillimin lokal

Ulqin – Në seancën e dytë të rregullt të mbledhjes së parë të Kuvendit të Komunës së Ulqinit, e cila u mbajt më 22 korrik, këshilltarët shqyrtuan dhe miratuan një numër të konsiderueshëm pikash me rëndësi të madhe për funksionimin efikas të administratës lokale dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve të kësaj komune bregdetare.
Gjatë punimeve të Kuvendit, të udhëhequra nga kryetarja Ivana Popoviq, u diskutuan tema të cilat prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve, transparencën financiare, ruajtjen e kujtesës historike dhe përfshirjen sociale të të gjithë qytetarëve.
Pikat kryesore të rendit të ditës përfshinë:
Raportin e punës së kryetarit të Komunës dhe administratës lokale për vitin 2024, ku u paraqit një pasqyrë gjithëpërfshirëse e aktiviteteve të realizuara gjatë vitit të kaluar, duke përfshirë projektet kryesore të zhvillimit lokal dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.
Miratimin e llogarisë përfundimtare të buxhetit të Komunës për vitin 2024 – një dokument që dëshmon për menaxhimin transparent, efikas dhe të përgjegjshëm të mjeteve publike, në funksion të interesit të përgjithshëm dhe zhvillimit të qëndrueshëm të komunës.
Vendimin për ngritjen e përmendores me bustin e Dr. Shuajb Rasulbegoviqit – një iniciativë që synon të nderojë figurën e një personaliteti të shquar dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm për komunitetin lokal dhe më gjerë.
Miratimin e Kartës për Kohezionin Shoqëror të Komunës së Ulqinit – një dokument strategjik që synon forcimin e besimit të ndërsjellë, solidaritetit, përfshirjes dhe barazisë midis të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie, gjinie apo përkatësie sociale.
Vendimin për ndarjen e mjeteve për fekondimin e asistuar mjekësor – një masë mbështetëse për çiftet që përballen me vështirësi në realizimin e prindërisë, duke kontribuar në përforcimin e politikave sociale dhe mbështetjen e familjes si një shtyllë e rëndësishme e shoqërisë.
Në përfundim të seancës, kryetarja e Kuvendit të Komunës së Ulqinit, Ivana Popoviq, shprehu mirënjohje për punën e angazhuar dhe konstruktive të këshilltarëve.
“Dua të falënderoj të gjithë këshilltarët për seriozitetin dhe përkushtimin që treguan gjatë shqyrtimit të këtyre çështjeve jetike për komunën tonë. Vendimet e miratuara janë një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një administrate efikase dhe krijimit të një ambienti të denjë për jetesë për të gjithë qytetarët e Ulqinit”, ka thënë ajo.
Popoviq theksoi gjithashtu se Kuvendi i Komunës mbetet i hapur për të gjitha iniciativat dhe propozimet që vijnë nga qytetarët, organizatat e shoqërisë civile dhe ekspertët, me synimin për të përmirësuar më tej politikat lokale dhe për të avancuar interesin publik.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat