Plavë – Këshilltarët e Kuvendit të Komunës së Plavës, në seancën e tretë të rregullt të mbajtur të martën më 31 tetor, në sallën e vogël të Qendrës së Kulturës, gjatë dy orëve e gjysmë ia dolën që të shqyrtojnë e pastaj edhe të miratojnë materialet e 24 pikave të propozuara të rendit të ditës, me shumicë votash të këshilltarëve të subjekteve politike në pushtet dhe të dy këshilltarëve të Frontit Demokratik.
Kuvendi miratoi propozim vendime, raporte dhe informata të organeve të Komunës dhe të organizatave e institucioneve publike që veprojnë në trevën e saj.
Para aprovimit të rendit të ditës, këshilltari i pavarur dhe i vetëm i “Iniciativës Qytetare”, Ibër Hoti, e braktisi në mënyrë demonstrative seancën për shkak se nuk ishte siguruar përkthyesi në gjuhën shqipe, gjë të cilën e kishte kërkuar në një seancë të mbajtur para një viti.
Ai tha se organet relevante të Komunës së Plavës po cenojnë dhe diskriminojnë të drejtat e shqiptarëve, të garantuara me Kushtetutë dhe ligj, për përdorimin e gjuhës së vet amtare gjatë pjesëmarrjes në punën e seancave të Kuvendit, por edhe të komisioneve të tij.
Hoti theksoi se nëse brenda 15 ditësh nuk zgjidhet ky problem, të drejtat do t’i kërkojë tek instancat relevante shtetërore, e madje edhe ato ndërkombëtare.
Pas aprovimit të rendit të propozuar të ditës, të plotësuar me një pikë shtesë, këshilltarët me apo pa pjesëmarrje në debat, shqyrtuan e pastaj miratuan këto propozim vendime: Shkarkimin dhe emërimin e kryetarit dhe të një anëtari të Këshillit të drejtorëve të SHPK “Veprimtaria Komunale” – Plavë, Emërimin e Këshillit administrativ të IP Qendra Ditore për fëmijë dhe të rinj me pengesa në zhvillim “Lipa” – Plavë, të përbërë prej pesë anëtarësh, Shkarkimin dhe emërimin e anëtarit të Këshillit për veprimtari banesore e komunale, mbrojtjen e mjedisit jetësor, zhvillim, ekonomi dhe financa; Shkarkimin e këshilltarit të mëparshëm dhe emërimin e këshilltarit të ri për lidhjen e martesave; Pranimin e nismës për realizimin e binjakëzimit të Komunës së Plavës dhe Komunës së Stambollit “Bajram Pasha” të Republikës së Turqisë.
Këshilltarët po ashtu shqyrtuan, miratuan dhe aprovuan edhe dy vendimet e kryetarit të Komunës mbi konfirmimin e interesit publik për shpronësimin e patundshmërisë për rikonstruksionin e rrugës së Prnjavorit dhe të aksit rrugor Plavë-Vojno Sellë-Guci.
Ata po ashtu shqyrtuan dhe miratuan gjashtë raporte mbi punën dhe raportet financiare për vitin 2016 të kryetarit të Komunës dhe organeve të administratës lokale, të SHPK “Veprimtaria komunale”, të Qendrës për Kulturë, të Qendrës Ditore për fëmijë dhe të rinj me të meta në zhvillim “Lipa” dhe të Organizatës Turistike.
Këshilltarët u njoftuan edhe me informatat e punës për vitin 2016 të sektorëve të inspeksioneve, të organizatave komunale, institucioneve publike etj., si dhe me konkluzionet e vendimit të Komisionit të arbitrazhit për ndarjen e pasurisë dhe vendimmarrjeve të tjera në mes të komunave Plavë dhe Guci.
Këshilltarët parashtruan edhe disa pyetje për të cilat kërkuan nga Kuvendi përgjigje me shkrim. Sh. Hasangjekaj