Guci – Në seancën e parë të rregullt të Kuvendit të komunës së Gucisë, të mbajtur të enjten, më 31 mars 2022, në sallën e Komunës, në të cilën ishin të pranishëm 28 këshilltarë prej gjithsej 30 sa numëron Kuvendi, u shqyrtuan dhe miratuan një varg propozim-vendimesh, raportesh dhe informatash të organeve të qeverisjes lokale, të organizatave dhe institucioneve publike që punojnë dhe veprojnë në kuadër të Komunës së Gucisë, por edhe jashtë varësisë së saj. Në fillim të seancës të cilën e hapi kryetari i Kuvendit të komunës, Bujar Hasangjekaj, u verifikua mandati i këshilltarit të ri, Emir Çekiq, nga lista zgjedhore e Partisë Demokratike të Socialistëve, në vend të këshilltarit të po këtij subjekti politik, Zumber Nikoçeviq, i cili papritmas ndërroi jetë në fund të muajit dhjetor të vitit 2021, të cilin me këtë rast të pranishmit në seancë e nderuan me një minutë heshtje.
Në vazhdim, njëzëri u miratua pa vërejtje të këshilltarëve procesverbali nga seanca e katërt e rregullt e Kuvendit, e mbajtur më 30 dhjetor 2021 dhe rendi i reduktuar i ditës prej 14 pikash, nga i cili në propozim të përpunuesit u tërhoq pika e katërt me radhë – Propozim-vendimi mbi shpronësimin e rindërtimit të rrugës Guci – Grebajë, seksioni 1 dhe Guci – Doli, seksioni 2.
Seanca filloi punën sipas renditjes së pikave të propozuara të rendit të ditës me parashtrimin e dy informatave të punës vjetore të dy institucioneve publike për vitin 2021, të cilat punojnë dhe veprojnë në Komunat e Plavës dhe Gucisë – Informatën mbi gjendjen e rendit dhe qetësisë në Komunën e Gucisë, të cilën në mënyrë analitike dhe koncize me të dhëna faktike e numerike e argumentoi shefi i Departamentit të sigurisë në Plavë, Xhemall Shabotiq, dhe informatën mbi gjendjen e kujdesit shëndetësor parësor, kujdesit social dhe të fëmijëve në Komunën e Gucisë, të cilin kronologjikisht e argumentoi shefi i Kontabilitetit në Shtëpinë e Shëndetit në Plavë, Mr. Ramo Gutiq.
Seanca vazhdoi punën me trajtimin dhe shqyrtimin e një sërë propozim-vendimesh nga rendi i ditës: Propozim-vendimin mbi shpronësimin e ndërtimit të rrugës së qytetit, duke filluar nga objekti i Xhamisë së Çekajve deri te ura mbi lumin Vruja; mbi konfirmimin e vendimit të kryetares së Komunës së Gucisë për përcaktimin e interesit publik për shpronësimin e patundshmërive për rregullimin e lumit Grnçar nga Ada deri në kufirin me Republikën e Shqipërisë në KK Grnçar dhe KK Guci; mbi shfuqizimin e vendimit të Kuvendit të komunës së Gucisë për shitjen e tokës ndërtimore; mbi shfuqizimin e vendimit të Komunës së Gucisë për shitjen e patundshmërive me marrëveshje të drejtpërdrejtë dhe mbi emërimin e komisionit komunal zgjedhor të Komunës së Gucisë. Propozim-vendimet e sipërpërmendura u miratuan me shumicë votash “për” dhe “njëzëri”, pas pjesëmarrjeve të ca këshilltarëve, kryesisht të opozitës në debatime për shqyrtimin dhe trajtimin e tyre.
Këshilltarët në seancë shqyrtuan dhe miratuan njëzëri edhe Programin e rregullimin hapësinor për vitin 2022, të cilin në mënyrë koncize e prezantoi drejtori për Investime dhe rregullim hapësinor, Shemso Jaroviq.
Gjatë punës më se dyorëshe të seancës së Kuvendit, këshilltarët po ashtu me shumicë votash “për” dhe “njëzëri”, shqyrtuan dhe miratuan edhe raportin vjetor të kryetares së komunës dhe të organeve të Administratës lokale të Komunës së Gucisë për vitin 2021, të cilin e prezantoi dhe e argumentoi në mënyrë analitike kryetarja e komunës, Anella Çekiq; Raportin vjetor mbi punën e SHPK “Veprimtaritë Komunale” me raportin financiar për vitin 2021, të cilin e argumentoi drejtori ekzekutiv, Demir Bajroviq; Raportin vjetor të punës së Qendrës për Kulturë në Guci me raportin financiar për vitin 2021, të cilin e prezantoi U.D e drejtorit, Llejlla Balliq; Raportin njëvjetor të punës së Organizatës Turistike të Gucisë me raportin financiar për vitin 2021, të cilin e paraqiti U.D. i drejtorit, Irfan Radonçiq, dhe Raportin e punës së shërbimit të Kuvendit të komunës së Gucisë për vitin 2021, të cilin e prezantoi sekretari i Kuvendit të komunës, Enver Dedushaj.
Sh. H.
