Podgoricë – Demarkacioni midis Kryeqytetit Podgoricë dhe komunave të Tuzit dhe Zetës ka qenë temë e diskutimit në takimin e zhvilluar midis kryetarëve Sasha Mujoviq, Lindon Gjelaj dhe Mihajllo Asanoviq me ministrin e Administratës Publike, Marash Dukaj. Dy komunat në fjalë (Tuzi dhe Zeta) janë shkëputur nga Kryeqyteti Podgoricë kohë më parë.
Ky takim, siç njoftohet nga Ministria e Administratës Publike, është inicuar nga ministri Marash Dukaj me qëllim të harmonizimit të dinamikës së procesit të demarkacionit dhe sigurimit të funksionimit normal të këtyre njësive të vetëqeverisjes lokale.
“Në takim është vlerësuar se procesi i deritanishëm i demarkacionit ishte joefektiv, ndërsa të gjithë pjesëmarrësit në takim shprehën gatishmërinë që këto procese të përfundojnë sa më shpejt”, thekson deklarata për shtyp e Ministrisë së Administratës Publike.
Në lidhje me këtë çështje, bëhet e ditur nga kjo ministri, është harmonizuar dinamika e punës dhe palët janë pajtuar që çështjet e padiskutueshme të procesohen menjëherë si dhe të ndërmerren të gjitha masat dhe veprimet për zgjidhjen e pikave kontestuese në demarkacionin dhe ndarjen e pronës në mënyrë që t’i besohet arbitrazhit vetëm ajo që është e nevojshme.
Ndërkaq, nga ky dikaster qeveritar janë zotuar se për këtë qëllim do të japin kontribut dhe mbështetje të plotë ndaj këtyre njësive të vetëqeverisjes lokale, në mënyrë që të arrijnë tek zgjidhja përfundimtare.
t. u.