Tuz- Përfaqësues të Komitetit të Ekspertëve të Pavarur për Gjuhët Rajonale dhe të Pakicave i Këshillit të Evropës kanë zhvilluar një takim në Tuz me përfaqësues të pushtetit vendor, përfaqësues të organizatave joqeveritare, me përfaqësues të institucioneve edukativo-arsimore dhe me përfaqësues të mediave shqipe në Mal të Zi, të shkruara dhe audio-vizuale.
Sipas përfaqësuesit të Malit të Zi pranë Komitetit të Ekspertëve të për Gjuhët Rajonale dhe të Pakicave Igor Llakiq, synimi kryesor i zhvillimit të këtyre takimeve konsiston në atë se në ç nivel ndodhet përdorimi i gjuhës shqipe në këtë vend, nëpër institucione, si gjuhë e pakicave në Mal të Zi, në sistemin arsimor, media, në administratën lokale, etj.
Në takimin që ekspertët në fjalë zhvilluan me përfaqësues të medias, konkretisht të Kohës Javore, Redaksisë në Gjuhën Shqipe të Radio Televizionit të Malit të Zi dhe të TV Boin, u diskutua për misionin e këtyre mediave, përmbajtjet programore që emitojnë, problemet e ndryshme që kanë hasur ndër vite për realizimin e misionit të tyre si dhe për pozitën e tyre aktuale dhe rolin që ato luajnë në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe në tërësi të identitetit kombëtar të shqiptarëve në Mal të Zi.
Përfaqësuesit e mediave të lartpërmendura gjatë këtij takimi që zgjati rreth një orë, kanë shpalosur një historik të shkurtër të themelimit të këtyre mediave, sfidat dhe problematikat e natyrave të ndryshme me të cilat janë ballafaquar ndër vite si dhe për shumë çështje të tjera me rëndësi të cilat kanë të bëjnë me informimin në gjuhën shqipe në Mal të Zi.
Televizionin e Malit të Zi, redaksinë në gjuhën shqipe e ka përfaqësuar Musa Gjoka, gazetën Koha Javore e përfaqësoi Toni Ujkaj dhe TV Boin Sandra Bojaj të cilët në fokus të takimit me zyrtarët e lartë kanë pasur avancimin e mediave në gjuhën shqipe në Mal të Zi, zgjerimin e hapësirës informative, financimin e tyre të qëndrueshëm dhe përmirësimin e pozitës së tyre si kusht që gjuha shqipe të mos rrezikohet dhe shqiptarët të mos shkojnë drejt asimilimit.
T.Ujkaj