U bisedua për projektet e përbashkëta që synojnë zgjidhjen e pengesave dhe sfidave të qytetarëve

Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu dhe kryetarja e Kuvendit, Ivana Popoviq, të shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tyre, janë takuar të enjten e kaluar (27 qershor 2024) në Tivar me kryetarin e kësaj komune, Dushan Raiçeviq dhe kryetarin e Kuvendit të Komunës së Tivarit, Branisllav Neneziq me bashkëpunëtorë.
“Ky takim ofroi një mundësi të rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe shembujve të praktikave të mira ndërmjet administratave të dy komunave fqinje, si dhe për forcimin e bashkëpunimit të ndërsjellë”, thuhet në deklaratën për shtyp.
Në takim është biseduar për projektet dhe aktivitetet e përbashkëta që synojnë zgjidhjen e pengesave dhe sfidave të përbashkëta me të cilat ballafaqohen Ulqini dhe Tivari.
“Bashkëbiseduesit diskutuan në detaje për çështjet në fushën e infrastrukturës së transportit, turizmit dhe valorizimit të potencialit turistik, me fokus të veçantë në lumin Buna dhe zonën e liqenit të Shkodrës si pasuri natyrore e mbrojtur. Gjithashtu, u ra dakord që të dy komunat të punojnë në forcimin e kapaciteteve të tyre administrative, si dhe u diskutuan mundësitë specifike për përmirësimin e potencialit turistik dhe bashkëpunimit”, thekson deklarata, duke potencuar rëndësinë e takimeve të tilla për një lidhje edhe më të fortë mes dy qyteteve të lidhur ngushtë gjatë historisë.
Takimi është zhvilluar me nismën e kryetarit të Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, ndërsa bashkëbiseduesit janë pajtuar që takimet e tilla të bëhen praktikë e rregullt me qëllim të zgjidhjes në mënyrë më efikase të problemeve dhe sfidave të përditshme me të cilat përballen qytetarët e dy komunave.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat