Pjesëtarët e njësiteve speciale të policisë kanë arrestuar të hënën (24 korrik 2023) ish-drejtorin e Policisë së Malit të Zi, Veselin Veloviq, i cili akuzohet për kryerjen e veprave penale “akte kriminale të krijimit të një organizate kriminale, abuzim me pozitën zyrtare dhe kontrabandë”.
Së bashku me të akuzohen edhe tre persona të tjerë, njëri prej të cilëve është arrestuar, ndërsa dy të tjerët ndodhen në kërkim.
Veloviq është arrestuar me urdhër të Prokurorisë Speciale të Shtetit.
“Departamenti i Policisë Speciale, me urdhër të Zyrës së Prokurorit Special, i ka privuar nga liria V.V. dhe M.N., dhe ndaj tyre është ngritur padi penale, si dhe ndaj A.M. dhe N.M., të cilët janë në kërkim”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë, e cila ka bërë të ditur se “dëshmitë kundër tyre janë mbledhur në bashkëpunim me Agjencinë e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim dhe Sundim të Ligjit – EUROPOL”.
Përfaqësuesit e institucioneve shtetërore të Malit të Zi dhe partive politike kanë reaguar ndaj arrestimit të ish-drejtorit të Policisë së Malit të Zi, Veselin Veloviq.
Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka deklaruar se “dora e drejtësisë ka mbërritur më në fund edhe te Veselin Veloviqi”.
Ai ka përshëndetur aksionin e Prokurorisë Speciale, të cilën vetëm tri ditë më parë e kishte akuzuar se “nuk ka kurajo të godasë krerët e piramidës kriminale”.
Nga Lëvizja Evropa Tani kanë deklaruar se “arrestimi i Veloviqit është dëshmi se Prokuroria Speciale dhe Kryeprokurori kanë guximin të merren me oktapodin kriminal në Mal të Zi”.
Ndërkaq për Partinë Demokratike të Socialistëve në opozitë, është dëftuese se arrestimi i Veloviqit u bë pas presionit të paprecedent të Abazoviqit ndaj prokurorisë.
Veloviq ka mbuluar funksione të rëndësishme në Policinë e Malit të Zi. Ai e ka filluar karrierën e tij si komandant i Stacionit të Policisë në qytetin e Plevlës në vitin 1992, menjëherë pas përfundimit të Akademisë Ushtarake në Beograd. Veloviq është kritikuar për përfshirjen e tij në dëbimin e familjeve boshnjake nga Bukovica dhe Plevla gjatë luftës në fillim të viteve ’90, gjë që ai e ka mohuar. Gjatë viteve 1995-2005 ka qenë komandant i Njësitit Special kundër terrorizmit. Veloviq ka qenë drejtor i Policisë së Malit të Zi në periudhën 2005-2011 dhe prej mesit të vitit 2018 deri në fund të vitit 2020, kur pas ndërrimit të pushtetit është larguar nga kreu i Policisë së Malit të Zi. Në periudhën mes dy mandateve, ai ka qenë këshilltar i ish-Presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviq, për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes, dhe nga viti 2014 sekretar i Këshillit Kombëtar të Sigurisë në Qeverinë e kryeministrit Millo Gjukanoviq. Prej fundit të vitit 2018, kur është larguar nga detyra e drejtorit të Policisë së Malit të Zi e deri më 20 maj të këtij viti ka qenë këshilltar për çështje të sigurisë i Presidentit Millo Gjukanoviq.
Gjatë periudhës së tij në krye të Policisë së Malit të Zi kanë ndodhur raste të ndryshme ku ai është akuzuar nga partitë politike opozitare, disa organizata joqeveritare dhe një pjesë e mediave për keqpërdorimin e policisë dhe pushtetit, lojalitetin ndaj Gjukanoviqit dhe PDS-së si dhe për përfshirjen e tij në rastet e shitjes së pronës shtetërore.
i. k.