Tubim në mbështetje të popullit palestinez

Në Podgoricë, të dielën, u mbajt tubimi në mbështetje të popullit palestinez me moton “Mali i Zi për Palestinën”, organizuar nga studentët dhe të rinjtë e shoqatës Mali i Zi-Palestinë.
Në këtë tubim iu bë thirrje Qeverisë së Malit të Zi që të bojkotojë Izraelin dhe të vendosë sanksione ndaj tij.
Në tubimin e mbajtur para selisë së Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Podgoricë, të tubuarit mbanin flamuj palestinezë me parullën “Liri Palestinës”. Tubimi përfundoi me një marshim proteste drejt qendrës së qytetit.
Ambasadori palestinez në Mal të Zi, Rabii Alhantouli, tha se “ajo që po dëshmojmë në Palestinë është gjenocid”.
“Ky është momenti që të gjithë të dënojnë krimet e luftës izraelite, nuk është koha për të qenë asnjanës apo të paanshëm. Kur keni një pozicion neutral ose të ekuilibruar në një kohë padrejtësie, ju merrni anën e torturuesit. Është koha që zyrtarët të dënojnë masakrën që aktualisht izraelitët po bëjnë çdo ditë dhe duket se nuk do të ndalet”, tha ambasadori Alhantouli.
Njëri nga organizatorët e këtij tubimi, Ilija Vujosheviq, tha se ata donin të “dërgonin një mesazh paqeje dhe se ishin mbledhur për t’i thënë Qeverisë së Malit të Zi dhe qytetarëve që të mos mbyllin sytë para spastrimit etnik të palestinezëve në Izrael dhe Palestinës”.
Ai kritikoi presidentin e vendit, Jakov Millatoviq, për siç u shpreh ai, “mbështetjen e turpshme për Izraelin”.
Përshkallëzimi i fundit i dhunës në Lindjen e Mesme ndodhi më 7 tetor, kur një sulm nga organizata ekstremiste palestineze Hamas vrau më shumë se 1,400 izraelitë, shumica prej tyre ishin civilë, dhe rrëmbyen më shumë se 200 veta. Ushtria izraelite u përgjigj më pas me një bllokadë të plotë në Gaza. SHBA, BE, Izraeli dhe vende të tjera e konsiderojnë Hamasin një organizatë terroriste.
Gjashtë milionë hebrenj u vranë gjatë Luftës së Dytë Botërore në Holokaustin – fushata naziste për të shfarosur popullsinë hebreje të Evropës.

A. S.

Të fundit

më të lexuarat