Tuz – Shoqata Atdhetare “Malësia e Madhe” me seli në Nju Jork, bëri solemnisht të shtunën më 27 janar 2024 në Tuz, ndarjen e bursave studentore për vitin akademik, 2023/24.
Kjo shoqatë, edhe këtë vit, sikurse tridhjetë vjet e këndej, ndihmoi studentët malësorë që studiojnë nëpër universitete brenda dhe jashtë vendit.
Shpërndarjen e bursave të sivjetshme, në pamundësi për të qenë të pranishëm, në emër të Shoqatës Atdhetare “Malësia e Madhe”- Nju Jork, e bëri stafi i TV “Boin”.
Kryetari i kësaj shoqate, Shaqir Gjokaj përmes një letre të dërguar, shprehi mirënjohje dhe falënderim për çdo anëtar të saj përgjatë tre dekadash.
“Shoqata jonë është krenari kombëtare në mërgatën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Përpjekjet e anëtarëve të shoqatës tonë për komb e komunitet, si në Malësi e në Nju Jork, kanë qenë të jashtëzakonshme dhe meritojnë vlerësim, respekt e nderime të thella prej të gjithëve” shprehet kryetari i kësaj shoqate Shaqir Gjokaj në letrën e tij.
Ai më tutje thekson se përgjatë tridhjetë vijetësh, Shoqata Atdhetare “Malësia e Madhe”- Nju Jork, ishte pjesëmarrëse e të gjitha veprimtarive patriotike të mërgatës në SHBA.
“Ka luajtur një rol specifik si urë lidhëse mes mërgatës dhe vendlindjes tonë Malësisë, duke iu gjetur pranë në çdo nevojë e situatë. Ka ndihmuar në integrimin, në jetën e amerikanëve (të mërgimtarëve të rinj). Ka qenë konsekuente në të gjitha veprimtaritë atdhetare e komunitare, në dobi të çështjes shqiptare në Nju Jork e më gjerë”, është shprehur ai.
Kryetari i kësaj shoqate ka nënvizuar rolin që sipas tij, ka luajtur kjo shoqatë në mbështetjen e faktorit politik shqiptar në Malësi.
“Duke qenë vendimtare në fitoren e shqiptarëve në Tuz, ka dhënë një kontribut të qenësishëm në veprimtaritë humanitare, kulturore, sociale, e komunitare në Malësi, dhe jo vetëm” ka theksuar Gjokaj.
Ai, si arritjen më të madhe të shoqatës në fjalë e ka konsideruar mbështetjen ndaj studentëve malësorë, me rreth 900 bursa të siguruara në tridhjetë vjet jetë të kësaj shoqate, përkatësisht me një vlerë prej 2 milionë dollarësh amerikanë.
“Kemi qenë ndaj çdo familjeje në nevojë. Jemi gjetur hap pas hapi në mbështetje të çdo iniciative për Malësinë dhe kemi dhënë kapacitetet tona intelektuale e monetare në çdo institucion dhe objekt infrastrukturor të ndërtuar në Malësi”, ka thënë kreu i Shoqatës Atdhetare “Malësia e Madhe”- Nju Jork Shaqir Gjokaj.
Ai, në përmbyllje të kësaj letre, bëri të ditur se shoqata që ai drejton, po rritet dhe zhvillohet nga dita në ditë, ku trashëgimia tri dekadëshe e misionit të saj, do të vazhdojë tutje, falë patriotëve, veprimtarëve e intelektualëve të shoqatës.
Ndërkaq, studentët që studimet i ndjekin nëpër universitete në Malin e Zi u mbështeten me nga 500 dollarë amerikanë, ndërsa ata që studiojnë në universitete të rajonit, u ndihmuan me nga 800 dollarë amerikanë.
t. u.