Ulqin – Ministri i Shëndetësisë dr. Kenan Hrapoviq ka vizituar të premten Komunën e Ulqinit, ku është pritur nga kryetari i saj, Nazif Cungu, si dhe ka vizituar Shtëpinë e Shëndetit në Ulqin.
Kryetari i Komunës së Ulqinit ka theksuar bashkëpumin e shkëlqyeshëm me Shtëpinë e Shëndetit dhe Shërbimin e Urgjencës në Ulqin.
Në deklaratën për shtyp të zyrës së kryetarit Cungu thuhet se ndër problemet kryesore në sektorin e shëndëtësisë, ai ka përmendur mungesën e sallës për operacion dhe transfuzion të gjakut në Maternitetin e Ulqinit, problemin e mungesës së mjekëve që flasin gjuhën shqipe në Spitalin e Përgjithshëm të Tivarit, problemin e mushkonjave, si dhe ndotjen e kanalit të Port Milenës.
Nga ana tjetër, ministri Hrapoviq ka thënë se në të ardhmen për punësimet në Shtëpinë e Shëndetit në Ulqin dhe Spitalin e Tivarit, përparësi do të kenë mjekët nga këto dy qytete, ndërkaq për sa i përket problemit të rritjes së cilësisë së shërbimeve, zgjidhje duhet kërkuar në partneritetin publiko-privat.
Ai ka thënë se Ministria e Shëndetësisë do të urdhërojë Institutin për Shëndetin Publik që të monitorojë cilësinë e ujit në Port Milenë dhe të reagojë nëse paraqitet nevoja.
Hrapoviq ka thënë se llogarit në përkrahjen e Komunës së Ulqinit për hapjen e ambulancave turistike gjatë sezonit turistik në zonat më të frekuentuara të qytetit.
Në takim kanë marrë pjesë ndër të tjerë edhe kryetari i Kuvendit të Komunës së Ulqinit, Loro Nrekiq, si dhe drejtori i Fondit për Sigurimin Shëndetësor, Sead Çigiq.
Gjatë vizitës së tij në Ulqin, ministri Hrapoviq është takuar edhe me drejtuesit e Shtëpisë së Shëndetit, ku është biseduar për çështjet aktuale në fushën e shëndetësisë, cilësinë e mbrojtjes shëndetësore në përputhje me nevojat e banorëve të kësaj komune.
Të premten, ministri Hrapoviq ka qëndruar për vizitë pune edhe në Komunën e Tivarit.
(Kohapress)