TIKA investon 250 mijë euro

Ulqin – Kryetari i Komunës së Ulqinit, Nazif Cungu, Ambasadori i Turqisë në Mal të Zi, Serhat Galip, shefi i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), Ahmet Alltun, dhe kryetarja e Shoqatës së Ullishtarëve me seli në Pistull, Fahira Kraja, nënshkruan të premten Protokollin e bashkëpunimit për ndërtimin e një linje moderne për prodhimin e vajit të ullirit. Këtë investim me vlerë prej 250 mijë eurosh do ta realizojë TIKA.
Në njoftimin për media të zyrës së kryetarit të Komunës së Ulqinit, thuhet se fillimisht Cungu në emër të kësaj komune ka falënderuar shtetin e Turqisë, respektivisht Ambasadën e Turqisë dhe zyrën e TIKA-s në Mal të Zi për të gjitha projektet e realizuara në këtë komunë, si dhe ato që priten të realizohen në të ardhmen.
Ambasadori Serhat Galip ka thënë se Ulqini zë vend të rëndësishëm në projektet e TIKA-s dhe krahas turizmit mendojnë se ai duhet të ketë dhe brendin e tij të vajit të ullirit.
Ai ka theksuar se te kryetari i Komunës së Ulqinit dhe bashkëpunëtorët e tij ka gjetur përkrahje të vazhdueshme.
Shefi i TIKA-s, Ahmet Alltun, nënvizoi rëndësinë e realizimit të këtij projekti, përfitimet që do të ketë komuniteti dhe hapja e vendeve të punës.
Ai ka sqaruar se linja do të jetë bashkëkohore, konform standarteve evropiane, në të do të mund të përpunohen 10 mijë litra vaj ulliri në ditë, që do të thotë se krahas ullishtarëve nga Pistulla, Ana e Malit dhe Ulqini, në këtë fabrikë ullinjtë mund t’i sjellin dhe ullishtarët nga Tivari.
Në emër të Shoqatës së Ullishtarëve në Pistull falënderoi Fahira Kraja.
Ajo bëri një prezantim të linjës moderne dhe synimet që i ka vënë vetes Shoqata.
Kraja ka theksuar se për momentin Shoqata numëron 50 anëtarë, të cilët në pronësi kanë 11 mijë rrënjë ulliri, ndërkohë që synon që brenda një kohe sa më të shkurtër numri i anëtarëve dhe i trungjeve të dyfishohet.
Në ceremoninë e nënshkrimit të Protokollit morën pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Komunës së Ulqinit, Loro Nrekiqi, nënkryetarja Hadixha Gjoni dhe disa sekretarë të sekretariateve të Komunës së Ulqinit. (Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat