Themelohet Qendra e Përbashkët për Bashkëpunim Policor

Plavë – Ministritë e Punëve të Brendshme të Malit të Zi, Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës kanë nënshkruar protokollin e bashkëpunimit për themelimin dhe funksionalizimin e Qendrës së Përbashkët për Bashkëpunim Policor.
Ky protokoll mes tri shteteve është në vazhdën e mëtejme të bashkëpunimit policor dhe është bërë duke zbatuar nenin 34, seksioni 1 dhe nenin 29, të Konventës për Bashkëpunimin Policor në Evropën Juglindore, në të cilën palët nënshkruese, përveç të tjerëve janë Mali i Zi, Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës.
Me protokollin e bashkëpunimit parashikohet që palët nënshkruese do të përcaktojnë detajet në lidhje me krijimin e Qendrës së Përbashkët për Bashkëpunim Policor, autoritetet kompetente, qëllimin e bashkëpunimit, detyrat e Qendrës, gjuhën e punës, shpërndarjen e kostove, si dhe çështje të tjera që lidhen me funksionimin e Qendrës.
Qendra do të jetë në Mal të Zi, në Komunën e Plavës, në godinën e stacionit të policisë kufitare Plavë, Qendra rajonale Veri.
Fusha e bashkëpunimit ka të bëjë me shkëmbimin, analizimin dhe shpërndarjen e informacionit, si dhe ofrimin e mbështetjes në koordinimin e bashkëpunimit ndërkufitar mes palëve nënshkruese, me qëllim: parandalimin dhe luftën kundër të gjitha formave të kriminalitetit ndërkufitar, parandalimin e migracionit të paligjshëm, përdorimin më racional të burimeve njerëzore dhe teknike të palëve nënshkruese dhe forcimin e besimit të ndërsjellë dhe ndërkombëtar dhe bashkëpunimit më intensiv ndërkufitar.
Protokolli i bashkëpunimit është nënshkruar nga ministri i Punëve të Brendshme i Malit të Zi, Mevludin Nuhoxhiq, ministri i Punëve të Brendshme i Shqipërisë, Driton Demiraj, dhe nga zëvendësministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Valdet Hoxha.
Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes kanë marrë pjesë edhe ambasadorja e SHBA-së në Mal të Zi, Margaret En Uehara, ambasadori i Gjermanisë në Mal të Zi, Hans Ginter Matern, dhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Ernal Filo. Ambasadorët e SHBA-së dhe Gjermanisë i kanë përgëzuar qeveritë e tre vendeve për rezultatet e arritura në aspektin e bashkëpunimit rajonal dhe kanë ofruar mbështetjen e tyre.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat