Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, Faik Nika, ka pritur të enjten (17 korrik 2025) në një takim zyrtar një delegacion të lartë të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Serbi, të kryesuar nga kryetari Enkel Rexhepi. Delegacioni përbëhej gjithashtu nga sekretari i Këshillit, Driton Bilalli, dhe këshilltari i Kuvendit të Preshevës, Shkëmbin Veliu.
Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe konstruktive, duke u përqendruar në rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional mes dy këshillave kombëtare, me fokus të veçantë në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në rajon.
“Jemi shumë të nderuar që sot mirëpresim homologët tanë nga Lugina e Preshevës. Diskutuam për çështje dypalëshe që lidhen me identitetin kombëtar, mbrojtjen e të drejtave tona dhe sfidat me të cilat përballen shqiptarët në të dy vendet”, deklaroi kryetari Nika.
Gjatë takimit, palët diskutuan për shkëmbimin e përvojave pozitive në fushën e përfaqësimit dhe mbrojtjes së interesave kombëtare, si dhe për organizimin e aktiviteteve të përbashkëta kulturore, arsimore dhe politike.
“Është e domosdoshme që të ketë një koordinim të qëndrueshëm në adresimin e çështjeve madhore për shqiptarët. Ne nuk jetojmë në shtete që gjithmonë kanë treguar mirëkuptim për të drejtat tona, prandaj bashkëpunimi mes nesh është thelbësor”, theksoi Nika.
Ndër temat kryesore që u ngritën në takim ishin përdorimi dhe promovimi i simboleve kombëtare, garantimi i së drejtës për arsimim në gjuhën shqipe, përfaqësimi në media dhe ndalimi i praktikave diskriminuese, siç është pasivizimi administrativ i shqiptarëve në Serbi – një proces që, sipas përfaqësuesve nga Lugina, po ndikon drejtpërdrejt në ndryshimin e përbërjes demografike dhe në kufizimin e të drejtave qytetare të shqiptarëve.
“Kemi mbi 100.000 shqiptarë në Luginën e Preshevës. Edhe gjatë regjistrimit të vitit 2022 jemi përballur me diskriminim, ku si banorë rezidentë jemi regjistruar vetëm rreth 65.000, ndonëse numri real është shumë më i lartë. Një nga çështjet më të mprehta është ajo e pasivizimit, i cili po ndikon drejtpërdrejt në ndryshimin e përbërjes demografike të shqiptarëve në këtë rajon. Dy vendet më të prekura janë Medvegja, ku demografia ka ndryshuar thuajse plotësisht dhe shqiptarët përbëjnë sot vetëm rreth 15% të popullsisë, dhe Bujanoci, ku shqiptarët përbëjnë mbi 65%. Situata në Preshevë është disi më e mirë, pasi aty shqiptarët përbëjnë mbi 95% të popullsisë. Kjo nuk është vetëm statistikë – kjo është zbehje reale e pranisë sonë në vendin tonë”, shprehet kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Serbi, Enkel Rexhepi.
Ai ngriti gjithashtu shqetësime për gjendjen e arsimimit në gjuhën shqipe.
Sipas tij, mungesa e librave dhe diskriminimi në sistemin arsimor po dëmtojnë rëndë të rinjtë shqiptarë.
“Nxënësit tanë në shkollat e mesme nuk kanë libra në gjuhën shqipe. Ky është një diskriminim i hapur që po ndikon në cilësinë e arsimit dhe në të ardhmen e brezave të rinj”, tha ai, duke theksuar se kjo është një fushë ku kërkohet ndihmë e menjëhershme nga institucionet shtetërore dhe ndërkombëtare.
Gjatë takimit, palët diskutuan gjithashtu për nevojën e një koordinimi më të ngushtë me institucionet e Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe me faktorin ndërkombëtar, për të adresuar sfidat kombëtare.
“Ata (institucionet e Shqipërisë dhe Kosovës) kanë detyrim moral dhe kushtetues që të angazhohen për shqiptarët jashtë kufijve të tyre. Nëse nuk veprojmë tani, nesër mund të jetë vonë”, u theksua në diskutim.
Në përmbyllje, krerët e dy Këshillave Kombëtare u pajtuan për nisjen e menjëhershme të disa aktiviteteve të përbashkëta kulturore dhe institucionale.
“Ky takim shënon një moment të rëndësishëm në përpjekjet e përbashkëta për ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit tonë kombëtar. Kjo është një rrugë që duhet ndjekur me seriozitet, përpjekje të vazhdueshme dhe një bashkëpunim të përhershëm”, thuhet në deklaratën përmbyllëse.
D. Teliqi
Takime me kryetarin e Komunës së Ulqinit dhe Konsullin e Përgjithshëm të Shqipërisë
Gjatë vizitës së tyre në Ulqin, përfaqësuesit e KKSH nga Lugina e Preshevës janë takuar të mërkurën e kaluar (16 korrik 2025) me kryetarin e Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu.
Në këtë takim, ku i pranishëm ka qenë edhe kryetari i KKSH në Malin e Zi, Faik Nika, kryetari i Komunës së Ulqinit ka folur mbi rolin dhe sfidat e shqiptarëve në Mal të Zi, duke u fokusuar tek çështjet lokale të Komunës së Ulqinit dhe gatishmërinë e bashkëpunimit me institucionet në Luginën e Preshevës.
Në anën tjetër, kryetari i KKSH-së në Serbi, Enkel Rexhepi, pasqyroi nga afër gjendjen aktuale të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, mënyrën e financimit dhe problemet me të cilat ata ballafaqohen.
Nga të dyja palët u shpreh gatishmëria për veprimet e përbashkëta dhe konkrete në të ardhmen, me qëllim të avancimit të pozitës së shqiptarëve dhe krijimit të kushteve më të mira për ruajtjen dhe mbrojtjen e çështjeve kombëtare.
Delegacioni i KKSH në Serbi është pritur po ashtu edhe nga Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë në Ulqin, Arben Doçi.
