Të zgjidhet çështja e pensionit të ish-punëtorëve shqiptarë nga Mali i Zi

Ulqin – Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të angazhohet për zgjidhjen e çështjes së pensionit të ish-punëtorëve shqiptarë nga Mali i Zi, të cilët kanë punuar në ndërmarrjet dhe institucionet e ndryshme në Kosovë deri në vitin 1999.
Në një shkresë drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, kryetari i KKSH-së, Faik Nika, ka kërkuar nga ai angazhimin e organeve kompetente të Kosovës për zgjidhjen e kësaj çështjeje, për ish-punëtorët nga Mali i Zi të cilët “akoma sot nuk kanë mundur të realizojnë të drejtën e pensionit që u takon për vitet e punës në Kosovë”.
Sipas KKSH-së, “bëhet fjalë për një grup prej 60 individësh, të cilët për ta zgjidhur këtë çështje janë angazhuar me vite të tëra duke kërkuar nga institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës, por pa sukses deri sot, dhe kjo ka sjellë një demoralizim dhe humbje shprese tek ata, sepse po u kalojnë vitet e jetës pa e përfituar të drejtën që iu takon”.
KKSH rikujton se në dhjetor të vitit 2013, ministrat e atëhershëm të Punës dhe Përkujdesjes Sociale të Malit të Zi dhe Kosovës, Predrag Boshkoviq dhe Nenad Rashiq, kanë firmosur në Podgoricë marrëveshjen dypalëshe për pranimin e periudhës së sigurimeve për arritjen e të drejtës së pensionit, e cila nuk është zbatuar deri tani.
“Ju lutemi që të bëni çka është e mundur për zgjidhjen e kësaj problematike, në mënyrë që të gjitha ato vite pune dhe kontributi në Kosovë i këtyre personave të mos u shkojnë dëm dhe të drejtat t’u njihen para se të jetë vonë dhe ata të mos jenë më në mesin tonë”, thuhet më tej në shkresën drejtuar kryeministrit Kurti.
KKSH beson dhe shpreson se Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Albin Kurti, do ta trajtojë me seriozitetin më të madh këtë çështje dhe që, më në fund, do t’i japë “epilog të drejtë dhe të shpejtë kësaj çështjeje, sa humane aq edhe jetike për ata të moshuar që sot marrin gjysmën e asaj që meritojnë ose nuk e gëzojnë fare të drejtën e asaj që ju takon, jo për fajin e tyre”.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat