Të valorizohen potencialet turistike

Ministri i të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Fatmir Gjeka, qëndroi të premten në vizitë zyrtare në Guci, ku u takua me kryetaren e kësaj komune Anella Çekiq dhe mori pjesë në hapjen e objektit të rikonstruktuar të shkollës në fshatin Vishnjevë.
Në takim me kryetaren e komunës së Gucisë është konstatuar se infrastruktura rrugore paraqet një prej sfidave më të mëdha të kësaj komune, gjë që do të mund të zgjidhej nëse vendimmarrësit tregojnë vullnet. Në këtë kontekst, ata kanë përmendur rindërtimin e rrugës përmes Çakorrit që lidh Malin e Zi dhe Kosovën, si dhe hapjen e pikës së kalimit kufitar, për të cilën janë krijuar kushtet teknike. Një projekt tjetër me rëndësi është ndërtimi i sallës sportive.
Ministri Gjeka dhe kryetarja Çekiq janë pajtuar se Gucia ka potenciale të mëdha turistike të pashfrytëzuara, siç janë Vuthajt dhe Grebaja, për të cilat duhet gjetur mënyrën më të përshtatshme për t’i valorizuar.
Ministri Fatmir Gjeka ka marrë pjesë edhe në hapjen e objektit të rindërtuar të shkollës në fshatin Vishnjevë, ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe, pjesë e shkollës fillore “Xhafer Nikoçeviq” – Guci.
Në deklaratën për shtyp të Ministrisë së të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave thuhet se Gjeka ka falënderuar të gjithë, posaçërisht ish-nxënësit e kësaj shkolle nga diaspora, me kontributin e të cilëve është ndërtuar objekti shkollor.
Ai ka përgëzuar vendasit për shkollën e re dhe i ka dëshiruar suksese drejtorit të ri të SHF “Xhefer Nikoçeviq”, Luan Kukaj, dhe nxënësve të kësaj shkolle.
Në ceremoni kanë marrë pjesë edhe kryetari i Kuvendit të komunës së Gucisë, Bujar Hasangjekaj, përfaqësuesit e diasporës dhe përfaqësuesi i Ministrisë së Arsimit, Safet Kallaç.
Gjatë vizitës së tij, Gjeka është takuar edhe me përfaqësuesit e shqiptarëve në zyrën koordinuese të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi në Plavë.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat