Presidentët e Malit të Zi, Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës kanë shprehur shqetësim për zhvillimet e fundit në rajon.
Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryetari i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zhelko Komshiq, janë takuar të enjten në Nju-Jork, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Në një komunikatë të përbashkët, ata kanë shprehur shqetësimin për zhvillimet e fundit në rajon dhe gjithashtu qëllimin e përbashkët të tyre për ruajtjen e stabilitetit si parakusht për perspektivën evropiane të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor.
“Të tre presidentët u pajtuan që të vazhdojnë komunikimin dhe dialogun për këtë çështje”, thuhet në komunikatë.
Kohët e fundit ka pasur një situatë të tensionuar në Cetinë me rastin e ceremonisë së shugurimit të mitropolitit të ri të Kishës Ortodokse Serbe në Malin e Zi, Joanikije. Po ashtu, që disa ditë janë bllokuar pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak, mes Kosovës dhe Serbisë, nga protestues serbë të veriut të Kosovës, që erdhi si pasojë pasi që Qeveria e Kosovës vendosi të zbatojë masën e reciprocitetit për targat e veturave nga Serbia që hyjnë në Kosovë.
