Të punohet në mënyrë intensive në ruajtjen, përforcimin dhe avancimin e marrëdhënieve

Ulqin – Me rastin e përfundimit të mandatit, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Podgoricë, Ylber Hysa, ka zhvilluar të mërkurën e kaluar vizita lamtumirëse në selitë e Forcës së Re Demokratike dhe Partisë Demokratike në Ulqin, ku është takuar me krerët e këtyre partive parlamentare shqiptare.
Në deklaratën për shtyp të Forcës së Re Demokratike thuhet se në këtë takim u diskutua mbi bashkëpunimin e deritashëm me partitë politike shqiptare dhe strukturave shoqërore të shqiptarëve në Mal të Zi, duke u fokusuar në statusin aktual të shqiptarëve në Mal të Zi.
“Të dyja palët u dakorduan se duhet të punohet në mënyrë intensive në ruajtjen, përforcimin dhe avancimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Malit të Zi. Kryetari i Forcës, Nazif Cungu, e falënderoi ambasadorin Hysa për bashkëpunimin dhe interesimin e treguar gjatë kohës së mandatit të tij”, thekson deklarata.
Në takim me drejtuesit e Partisë Demokratike, kryetarin Fatmir Gjeka, zëvendëskryetarin Gzim Hajdinaga dhe sekretarin e përgjithshëm Haxhi Sulejmani, bashkëbiseduesit kanë shprehur kënaqësinë për bashkëpunimin e ngushtë dhe mirëkuptimin e jashtëzakonshëm në periudhën e kaluar.
“U theksua se marrëdhëniet dhe bashkëpunimi midis dy shteteve të pavarura të Malit të Zi dhe Kosovës janë gjithashtu në një nivel të lartë, me shpresën se kështu do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Veçanërisht u theksua se turistët nga Kosova, me qëndrimin e tyre masiv në rivierën e Ulqinit këtë sezon, edhe një herë treguan se janë ngusht të lidhur me Ulqinin, dhe ulqinakët konfirmuan mikpritjen e tyre tradicionale”, thuhet në deklaratën për shtyp nga PD-ja.
Krerët e PD-së kanë falënderuar ambasadorin Hysa për përpjekjet e tij për të përmirësuar marrëdhëniet mes dy vendeve, në të cilat, siç u tha, pakica shqiptare në Mal të Zi jep një kontribut të madh.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat