Të ndërmerren masa urgjente për mbrojtjen e Kripores së Ulqinit

Podgoricë – Bashkimi Evropian kërkon që Mali i Zi të marrë masa urgjente për mbrojtjen e lokalitetit të Kripores së Ulqinit.
Shefi i Delegacionit të BE-së në Podgoricë, Aivo Orav, ka vlerësuar se hapja e kapitullit të 27-të në kuadër të negociatave për anëtarësim, që ka të bëjë me mjedisin jetësor, do të varet nga gatishmëria e Malit të Zi dhe e BE-së.
Ai nuk ka mundur të saktësojë se kur do të ndodhë kjo, sepse varet nga të dyja palët.
Sipas tij, në marrjen e masave mbrojtëse për Kriporen e Ulqinit, e cila është lokalitet potencial i Natura 2000, ekziston një vonesë e konsiderueshme.
“Mali i Zi duhet të bëjë përpjekje vendimtare dhe të zbatojë veprime urgjente për mbrojtjen e këtij lokaliteti. Është e domosdoshme zgjidhja afatgjate për menaxhimin e këtij lokaliteti”, ka theksuar Orav.
Ai ka thënë se mjedisi jetësor është njëra ndër fushat më të shtrenjta dhe më sfiduese, dhe se politikanët nuk e kanë gjithmonë me interes që të merren me këtë çështje.
“Mendoj se është shumë mirë që BE insiston në çështjen e mjedisit jetësor sepse këto nuk janë rrugë apo hekurudha, ose diçka që mund të shihet apo preket nga çdo qytetar, por në të njëjtën kohë, mjedisi jetësor është diçka që na intereson të gjithë neve”, ka vlerësuar Orav, duke shtuar se kjo nuk i intereson vetëm Malit të Zi, por të gjithëve sepse ndotja e ajrit dhe e ujit nuk njeh kufij.
Orav konsideron se është e rëndësishme që të hapet kapitulli 27, duke porositur se duhet të punohet edhe para hapjes së tij.
“Çdo qytetar i Malit të Zi do të ketë dobi nëse e din që ajri është i pastër, që uji është i pastër dhe kjo ndikon në cilësinë e jetës. Kjo mbase është diçka që njerëzit nuk e kuptojnë menjëherë, por nëse jetoni në kushtet ku keni ajër dhe ujë të pastër, menaxhim të mirë të inerteve, ekziston dobia afatgjate për të gjithë”, ka thënë ai.
(MINA/Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat