Të gjitha të dhënat janë të sigurta?

Drejtoria për Statistika e Malit të Zi (Monstat) i ka siguruar qytetarët se të gjitha të dhënat në dispozicion të saj janë të ruajtura dhe të sigurta, si dhe që vazhdojnë me aktivitetet e tyre të rregullta, të përcaktuara sipas ligjit.
Reagimi i Monstatit ka ardhur pas publikimit të lajmit në media për sulmin kibernetik ndaj këtij institucioni.
Monstat ka pranuar incidentin kibernetik në sistemin e tyre të informacionit, duke treguar se ai ka ndodhur më 14 nëntor 2024, në orën 23:45.
“Incidenti është identifikuar si një sulm ransomware (medusa dollap) dhe, në përputhje me Ligjin për Sigurinë e Informacionit, është raportuar tek autoritetet kompetente, të cilat po kryejnë hetime lidhur me këtë rast brenda juridiksionit të tyre”, kanë deklaruar nga ky institucion.
Monstati ka mohuar fshehjen e këtij incidenti kibernetik.
“Nuk është i saktë informacioni se Drejtoria për Statistika e ka fshehur faktin se ka ndodhur një incident kibernetik, por të njëjtën ditë ka njoftuar autoritetet përkatëse kompetente për të shqyrtuar faktet dhe për të nxjerrë konstatimet përfundimtare rreth incidentit”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se nuk kanë pësuar asnjë dëm nga ky sulm kibernetik.
Ndërsa sa i përket bazës së të dhënave të regjistrimit të vitit të kaluar të popullsisë, nga Monstati kanë bërë të ditur se ato janë të izoluara dhe të sigurta.
Sipas këtij institucioni, rrjeti i sistemit të informacionit që përdoret për përpunimin e të dhënave të regjistrimit të popullsisë 2023 nuk ka qenë shënjestër e sulmit dhe këto të dhëna ndodhen në sistemin e izoluar.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat