Podgoricë – Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, Adam Dienga, ka pritur të hënën nënsekretarin e Kombeve të Bashkuara dhe këshilltarin e posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për parandalimin e gjenocidit, Adam Dienga.
Në komunikatën për shtyp të Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave thuhet se Zenka ka thënë që Mali i Zi është i njohur në Ballkanin Perëndimor si vend ku çështjet e të drejtave të njeriut ndodhen lart në agjendën e politikës së saj dhe në këtë drejtim shteti ynë realizon rezultate të dukshme.
Ai ka theksuar po ashtu se me qëllim të parandalimit të kërcënimeve të mundshme dhe vatrave të jotolerancës, diskriminimit dhe mosrespektimit të diversitetit, Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave organizon në vazhdimësi trajnime të hartuara për organet dhe institucionet e ngarkuara për ruajtjen e vlerave të garantuara me Kushtetutë dhe aktet tjera ligjore vendore dhe ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, Dienga ka thënë se Mali i Zi ka rol udhëheqës në Ballkan për promovimin e paqes dhe sigurisë duke pasur parasysh se është vendi i vetëm i cili e ka ruajtur harmoninë dhe tolerancën ndërfetare, përkundër heterogjenitetit, dhe në të nuk ka pasur konflikte ushtarake, siç është rasti në disa vende fqinje.
“Mali i Zi ka fituar shumë rekomandime në drejtim të forcimit të mëtejshëm të të drejtave të njeriut. Rezultatet e deritashme janë për lëvdatë kur bëhet fjalë për kornizën ligjore dhe institucionale. Raporti i përgjithshëm mbi gjendjen e të drejtave të njeriut është treguar tejet pozitiv, prandaj Mali i Zi ka fituar rekomandime pozitive, për më tepër pozitën e liderit në rajon kur bëhet fjalë për korpusin e të drejtave të njeriut. Zyra jonë do t’ju ofrojë mbështetje të fuqishme në ndërtimin e sundimit të ligjit”, ka thënë ai.
Sipas tij, “ndonëse në Mal të Zi nuk ka ekstremizëm dhe radikalizëm, jemi të vetëdijshëm për rritjen e këtij fenomeni në disa vende të Evropës, prandaj duhet të jemi të gjithë të kujdesshëm dhe të ndërmarrim masa parandaluese kundër këtyre dukurive”.
Në fund të takimit, ministri Zenka ka deklaruar se Mali i Zi do të vazhdojë të avancojë më tej politikën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe tolerancës, të afirmojë dialogun global dhe të promovojë fuqinë e bashkëpunimit të përbashkët në luftë kundër të gjitha formave të diskriminimit dhe shkeljes së të drejtave të njeriut, përfshirë edhe fenomenet e ekstremizmit dhe radikalizmit, që përbëjnë kërcënim të hapur ndaj botës demokratike.(Kohapress)