Tuz – Një memorandum bashkëpunimi ka firmosur Sekretariati për Vetëqeverisje Lokale i Komunës së Tuzit me Shkollën Fillore “Mahmut Lekiq” dhe me Shkollën e Mesme të Përzier, “25 Maji”. Memorandumin në fjalë e ka firmosur sekretarja e këtij sekretariati, Marina Ujkaj dhe drejtuesit e këtyre dy institucioneve edukativo-arsimore, Luigj Dedvukaj dhe Behar Nikaj.
Nga ky sekretariat njoftohet se firmosja e këtij memorandumi synon bashkëpunimin ndërinstitucional në përmirësimin dhe avancimin e pozitës së të rinjve në Komunën e Tuzit.
“Në këtë memorandum u diskutuan për planin lokal të veprimit për të rinjtë për periudhën 2020-2021; strategjinë e punësimit në Komunën e Tuzit, 2021-2025, (plani i veprimit për punësim i Komunës së Tuzit për 2021, plani i veprimit për punësim i Komunës së Tuzit për 2022); plani lokal i veprimit për mbrojtjen dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara nga diskriminimi dhe promovimi i barazisë për periudhën 2021-2023”, thuhet në njoftimin e këtij sekretariati.
Ata kanë bërë të ditur se është në interes të të rinjve që nëpërmjet bashkëpunimit dhe veprimtarisë së ndërsjellë të kontribuohet në arritjen e qëllimeve të përbashkëta, në avancimin e burimeve njerëzore dhe në forcimin e përfshirjes sociale në nivelin lokal, i cili kontribuon në zhvillimin socio-ekonomik të komunës, si dhe mbron personat me aftësi të kufizuara nga diskriminimi.
t. u.
