Synimi, mbrojtja e standardit jetësor dhe zvogëlimi i inflacionit

Podgoricë – Aksioni kundër inflacionit i quajtur “Stop inflacionit 100+” ka vazhduar nga data 1 tetor 2023 dhe do të zgjasë deri më 31 dhjetor 2023, kështu është njoftuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit pas dakordimit që ky dikaster qeveritar ka bërë me përfaqësuesit e zinxhirit tregtar, të dyqaneve me pakicë dhe shumicë, të distributorëve si dhe me subjektet e tjera të interesuara. Ky aksion, sipas kësaj ministrie, ka për qëllim mbrojtjen e standardit jetësor të qytetarëve dhe zvogëlimin e inflacionit.
“Aksioni i kaluar “Stop inflacionit” i cili ka zgjatur nga fundi i marsit deri në fundin e qershorit të këtij viti, ka dhënë rezultate të shkëlqyera, dhe në këtë mënyrë, çmimet e prodhimeve nga shporta kundër inflacion, ishin mesatarisht më të ulëta me 20 për qind, kurse për disa prodhime edhe më shumë se 30 për qind”, janë shprehur ndër të tjera nga kjo ministri.
Ndërkaq, siç kanë njoftuar, duke u nisur nga rezultatet e mëparshme të zbatimit të këtij aksioni, ministria i është qasur krijimit të një programi të ri anti-inflacion, të quajtur “Stop inflacionit 100+”, të cilit, siç theksojnë, përveç tregtarëve me pakicë, i janë bashkëngjitur numër i madh i furnizuesve dhe të prodhuesve vendas.
Kujtojmë se Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, në fund të marsit prezantoi programin “Stop inflacionit” ku njëzetepesë produkte ushqimore janë blerë nga konsumatorët me çmimin minimal. Kjo ishte marrëveshje e arritur e kësaj ministrie me pesë zinxhirët më të mëdhenj tregtarë në Mal të Zi, si përgjigje ndaj problemit të ngritjes së çmimeve të produkteve bazike jetësore, dhe normës së lartë të inflacionit.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat