
redaktori përgjegjës
Të nderuar lexues, siç e dini “Koha Javore” është gazetë e përjavshme e vetme në gjuhën shqipe në Mal të Zi, dhe si e tillë politika e saj redaktuese duhet të ketë gjithnjë për synim mbrojtjen e vlerave të mirëfillta kombëtare dhe identitetin kombëtar të shqiptarëve në Mal të Zi. Ajo duhet të ndjek një politikë redaktuese afirmuese me qëllim të vetmin ta orientojë dhe ta nxisë maksimalisht lexuesin drejt kulturës dhe vlerave të tjera autoktone shqiptare, me dëshirën që këto vlera kombëtare të mbeten një sfidë e përjetshme në aktivitetin intelektual të tij, duke i parë ato si pjesë më të rëndësishme dhe shtylla mbështetëse në ruajtjen e identitetit kombëtar.
Me ardhjen në krye të stafit redaktues të një gazete siç është “Koha Javore”, në rend të parë është të mbash përgjegjësi të madhe për atë se me çfarë e ushqen lexuesin. Përpos informimit, me rëndësi është që në opinion të mbjellësh mendimin kritik dhe të nxitësh tema me të cilat do të mund të ndikosh në përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Me këtë qëllim, që në fillim e kam parë të arsyeshme dhe si domosdoshmëri që të krijoj raporte dhe marrëdhënie korrekte shoqërore dhe profesionale me anëtarët e tjerë të stafit redaktues, dhe do të angazhohem maksimalisht që gazetarinë mos ta trajtojnë vetëm si një profesion, por edhe si mision. Mision dhe luftë e përditshme për drejtësi, luftë kundër dukurive negative, krimit e korrupsionit, kundër diskriminimit mbi çfarëdo baze. Në këtë drejtim “Koha Javore” do të jetë një opozitë kritike e përhershme, e cila vazhdimisht do të vëzhgojë dhe do të kritikojë politikat e gabuara dhe në dëm të qytetarëve, dhe do luftojë për zbardhjen e së vërtetës, gjithmonë në mbrojtje të interesit publik shqiptar në Mal të Zi.
Siç ka thënë Xhorxh Orvel, “nëse liria do të thotë diçka, është pikërisht e drejta për t’ua thënë njerëzve atë që nuk duan ta dëgjojnë”. Beteja jonë e përditshme do të jetë pikërisht kjo, ta themi të vërtetën, pavarësisht se dikujt i pëlqen apo jo. Dhe këtë e bëj që nga dita e parë e punës. Ndonëse Mali i Zi po përballet me një presion të fuqishëm dhe përpjekje për ngulfatjen e fjalës së lirë dhe lirisë së mediave, por përballë situatës së këtillë dhe vështërësive me të cilat do të ballafaqohemi, në asnjë moment nuk do të çaloj nga përcaktimi për të qenë i pavarur, objektiv dhe profesionist.
Udhëheqja me “Kohën Javore” që nga fillimi për mua është një sfidë e madhe personale. Ky është një proces në të cilin çdo ditë mëson gjëra të reja. Të gjithë ata që punojnë në media e dinë që gazetaria nuk ka orar të caktuar, ndërsa gazetaria e mirëfilltë kërkon ende më shumë dedikim dhe përkushtim, sepse vërtetë për ta mbajtur në jetë një medie të shkruar, në kohën kur kemi një zhvillim të teknologjisë informative, nevojitet punë konstante dhe konsistencë në politikën redaktuese që ajo sot të profilohet si gazetë profesionale.
Synimi kryesor imi si redaktor përgjegjës i gazetës “Koha Javore” do të jetë, që për lexuesit shqiptarë në Mal të Zi dhe më gjërë, të krijoj një burim objektiv, kritik dhe të besueshëm të informacioneve. Verifikimi i informacioneve dhe cilësia e tyre do të jetë një shenjë njohëse e kësaj gazete. Do të mundohem që të krijoj një ekip i cili nuk do të bëjë kompromise me faktet. Motoja jonë do të jetë “realiteti”, pasi do të synojmë vetëm të vërtetën, e cila nganjëherë mund të mos jetë senzacionale dhe me tituj shokues. E vërteta mbetet e tillë, e zhveshur nga epitetet që vet gazetarët nganjëherë synojnë t’ia mveshin. Do të punoj me përkushtim maksimal për ta përmbushur këtë mision, aty ku do të gaboj do të kërkoj ndjesë, ndërsa atje ku do të ndihmoj do të ndihem krenar.
“Koha Javore” duhet medoemos ta rrisë lakoren e besueshmërisë së lexuesit, dhe kjo mund të bëhet vetëm duke respektuar parimet etike. Në përshtypje të parë duket e lehtë, por duke parë terrenin mediatik, nuk rezulton kështu. Megjithatë, puna, përkushtimi dhe vigjilenca permanente e stafit redaktues, do të bëjë që kjo gazetë të jetë ndër më të besuarat për shqiptarët në Mal të Zi, madje duke tejkaluar edhe disa media që vazhdimisht janë parë si më të besueshmet. “Koha Javore” do të jetë një dritare ku lexuesi do t’i verifikojë lajmet “pikëpyetse” nga mediat e tjera me besueshmëri të ulët.
Popullata shqiptare në Mal të Zi dhe në diasporë, ka një rini kreative dhe aktive në të gjitha fushat, në art, në shkencë, në sport. Këtë do ta dëshmojë në të ardhmen “Koha Javore” ,duke prezantuar dhe duke e promovuar punën e të rinjve, duke e thyer tabunë se rinia e sotme është “dembele”, dhe këtë do ta bëjmë duke hapur faqe të reja në të cilat do t’u jepet hapësirë të gjitha moshave, e me theks të veçantë rinisë, që të ngrenë zërin e tyre për dukuri të ndryshme në këtë vend me demokraci të brishtë. Në këto shtojca, qytetarët, nxënësit, studentët do të kenë mundësi të dërgojnë përmbajtjet e tyre të shoqëruara edhe me foto. Nuk do të jetë e domosdoshme patjetër të jenë gazetarë për ta informuar publikun për ndonjë ndodhi në rrethin e tyre. Gjithashtu, do të kenë mundësi të na dërgojnë opinionet apo vështrimet e tyre në lidhje me ndonjë çështje. Me këtë opsion, “Koha Javore” do të ketë për qëllim qytetarëve t’u mundësojë qasje dhe interaktivitet më të madh me mediat e informimit, si dhe ato sociale.
Në “Kohën Javore” shkruajnë me vite bashkëpunëtorët që trajtojnë tema dhe çështje të përditshme nën thjerrëzën kritike dhe ndërgjegjësuese. Kam kënaqësinë që disa nga ata i njoh personalisht. Shfrytëzoj rastin t’i falënderoj të gjithë për kontributin e tyre me të cilin e shtojnë vlerën dhe cilësinë e “Kohës Javore”.
Të nderuar lexues, jam i vetëdishëm se të qenurit në krye të stafit redaktues të gazetës “Koha Javore”, është një rrugë e shtruar me sfida të ndryshme. Por, ju premtoj se “Koha Javore” do të vazhdojë të sjellë të vërtetën për problemet që i rrethojnë dhe me të cilat përballen shqiptarët në Mal të Zi, por edhe më gjërë, duke i’u përmbajtur gjithnjë parimeve profesionale të informimit. Dhe padyshim që “suksesi ynë do të jetë edhe sukses juaj” dhe i gjithë shoqërisë shqiptare në Mal të Zi, dhe në përgjithësi në procesin e demokratizimit dhe shndërrimit të shoqërisë sonë në një shoqëri progresive me vlera evropiane.
