Spajiq: Shans i madh për zhvillim të përshpejtuar ekonomik

Qeveria e Malit të Zi dhe ajo e Emirateve të Bashkuara Arabe kanë nënshkruar të premten në Pallatin presidencial në Abu Dabi marrëveshje për bashkëpunim ekonomik dhe investime të përbashkëta.
Marrëveshjet janë firmosur nga kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, dhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i EBA-s, Sheiku Abdullah Bin Zajed Al Nahjan, në prani të kryetarit të këtij shteti, Sheikut Muhamed bin Zajed Al Nahjan.
Në deklaratën për shtyp të Qeverisë së Malit të Zi thuhet se qëllimi i marrëveshjeve është të nxisin zhvillimin e bashkëpunimit të bazuar në barazi dhe përfitim reciprok në përputhje të plotë me legjislacionin e të dy vendeve.
“Bashkëpunimi do të përfshijë fusha të shumta, me fokus të veçantë në projekte strategjike dhe me interes publik, të cilat do të sjellin përfitime ekonomike për qytetarët e të dy vendeve”, thekson ajo.
“Mali i Zi ka nevojë për investime nga kompani të besueshme që kanë realizuar me dekada projekte të suksesshme në shkallë të gjerë dhe për të cilat vendet më me reputacion në botë janë të gatshme të garantojnë. Marrëveshja për bashkëpunim ekonomik krijon bazën për zgjerimin e fushës së bashkëpunimit, që do të rezultojë në investime më të mëdha në Mal të Zi. Marrëveshja për bashkëpunim në fushën e turizmit është baza e projekteve që do të përshpejtojnë rritjen ekonomike, do të krijojnë vende të reja pune dhe do të përmirësojnë standardin dhe cilësinë e jetës, duke i shpërndarë përfitimet në mënyrë të barabartë – në jug dhe veri të vendit. Prandaj theksoj dispozitën e Marrëveshjes, e cila parashikon zhvillimin e projekteve në rajone të ndryshme të Malit të Zi, për herë të parë në histori, duke pasur parasysh zhvillimin e barabartë të vendit tonë”, ka thënë kryeministri Millojko Spajiq pas nënshkrimit të marrëveshjes.
Sipas tij, ky është një shans i madh për zhvillim të përshpejtuar ekonomik të Malit të Zi, dhe me këtë një hap drejt pagave, pensioneve dhe përfitimeve shumë më të larta për të gjithë qytetarët tanë.
Në mbledhjen elektronike, Qeveria e Malit të Zi ka propozuar që marrëveshja për bashkëpunim ekonomik ndërmjet Malit të Zi dhe Emirateve të Bashkuara Arabe t’i përcillet Kuvendit të Malit të Zi për konfirmim, duke ngarkuar me këtë punë Sekretariatin e Përgjithshëm të Qeverisë.
Nga kabineti i kryeministrit Spajiq kanë deklaruar se marrëveshjet e përcaktuara në mbledhjet e Qeverisë së Malit të Zi janë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe detyrimet ndërkombëtare dhe janë në dispozicion të publikut.
Nënshkrimi i marrëveshjeve i hap rrugë realizimit të projektit për Plazhin e Madh në Ulqin, të paralajmëruar nga Qeveria e Malit të Zi dhe miliarderi arab Mohamed Alabar, përkundër kundërshtimeve që vijnë nga qeverisja lokale dhe qytetarët e Ulqinit.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat