Solemniteti dhe arti shënuan këtë festë

“Gjatë këtyre viteve kemi dëshmuar se autonomia lokale nuk është thjesht një koncept, por një realitet që sjell rezultate për zhvillim”, tha kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj

Tuz – Me një ceremoni solemne, të hënën mbrëma, më 1 shtator 2025, u kremtua Dita e Komunës së Tuzit.
Në këtë aktivitet, të mbajtur përpara godinës së komunës, morën pjesë përfaqësues dhe personalitete të jetës politike, akademike e kulturore, përfaqësues të institucioneve lokale e qendrore, diplomatë, prijës fetarë dhe qytetarë.
Me rastin e Ditës së Komunës, telegrame urimi kanë dërguar Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq dhe kryeministri Millojko Spajiq.
Pas intonimit të dy himneve – të Malit të Zi dhe të Shqipërisë, përshëndeti kreu i Kuvendit të Komunës së Tuzit, Fadil Kajoshaj, i cili tha se Dita e Komunës së Tuzit, përveçse festë, është një thirrje për të punuar më shumë, për të bashkëpunuar më ngushtë dhe për të menduar përherë për të ardhmen.
“Shpreh mirënjohjen time për të gjithë ata që kanë kontribuar në zhvillimin e komunës sonë, për ata që punuan në të kaluarën dhe për ata që punojnë sot. Le të jetë kjo ditë frymëzimi për të gjithë ne, që të mbajmë gjallë vlerat më të mira dhe të ndërtojmë një komunë moderne e të zhvilluar”, u shpreh kreu i Kuvendit të Komunës së Tuzit, Fadil Kajoshaj.
Ndërkohë, kreu i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, tha se kremtimi i kësaj dite është simbol i punës së përbashkët për të ndërtuar, siç tha ai, një komunë ku çdo qytetar të ndjehet pjesë dhe kontribues.
“Gjatë këtyre viteve kemi dëshmuar se autonomia lokale nuk është thjesht një koncept, por një realitet që sjell rezultate për zhvillim”, tha Gjelaj.
Ai më tej tregoi se sa është shumëfishuar buxheti i Komunës së Tuzit sot, në raport me atë që kishte në vitin 2019, kur kjo komunë u pavarësua.
Duke folur për investime në sfera të ndryshme, Gjelaj një falënderim të veçantë ia adresoi diasporës shqiptare, e cila, siç tha, është kontribuese e posaçme.
“Simbol i këtij kontributi është vendosja e bustit të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit -Skënderbeut, dhuratë e diasporës për vendlindjen. Ky akt është jo vetëm gjest krenarie, por një mesazh për brezat e rinj”, u shpreh Gjelaj.

Ndarja e Çmimit “1 Shtatori – Dita e Komunës”
Fitues i këtij çmimi sivjet u shpall Dr. Mark Lekoçaj, për arritjet e tij në fushën e teknologjisë së pijeve dhe sukseset në nivel ndërkombëtar.
Në emër të jurisë, e cila ishte njëzëri në ndarjen e këtij çmimi për Dr. Mark Lekoçajn, përshëndeti Nikollë Berishaj, i cili shpalosi më tej motivacionin.
“Për ndihmën dhe zhvillimin e vreshtarisë dhe aplikimin e teknologjisë te prodhuesit e rinj në Malësi, si dhe për një nismë të vjetër tridhjetë vjet, por plotësisht të suksesshme, për heshtjen e armëve në gëzime familjare, që rezultoi e suksesshme plot tridhjetë vjet”, theksoi Berishaj.
Çmimin në fjalë fituesit ia dorëzoi kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj.
Dr. Mark Lekoçaj, pas marrjes së çmimit, tha se për të vepruar për vendin e vet kërkohet shumë punë dhe mund.
Ai falënderoi propozuesit (jurinë) që e zgjodhën si laureat të këtij çmimi, ndërkohë që mjetet financiare që e shoqërojnë çmimin tha se do t’ia dhurojë Klubit të Taekwondosë “Besa”.
“Sepse ky klub ka një vlerë shumë të madhe për rininë e Malësisë”, u shpreh Dr. Mark Lekoçaj.
Në këtë solemnitet, me disa pika instrumentale, shoqëroi grupi i violinisteve “StrinGirls”, i përbërë nga vajza të reja instrumentiste, të cilat me interpretimet e tyre sollën një dimension artistik të veçantë.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat