Skënderbeu “do të vijë” në Tuz më 28 nëntor

“Do ta përurojmë solemnisht shtatoren për nder të tij në një atmosferë vëllazërore dhe kombëtare. Edhe një herë, të katër shoqatat njëzëri falënderojmë të gjithë ata që morën pjesë në këtë projekt dhe ju njoftojmë se do të publikojmë emrat e të gjithë personave që kontribuuan, përfshirë shumën monetare dhe të gjitha detajet e tjera”, theksohet në kumtesën për opinion të katër shoqatave atdhetare

Procesi i grumbullimit të donacioneve për vendosjen e Shtatores së Gjergj Kastriotit-Skendërbeut në Tuz, përmes platformës GoFundMe, është mbyllur zyrtarisht më 1 tetor 2024.
Kështu kanë njoftuar katër shoqatat Atdhetare malësore në SHBA: “Jehona e Malësisë”, “Malësia e Madhe”- Michigan, “Malësia e Madhe”- NY dhe “Malësia në Kaliforni”, të cilat në kumtesën e tyre për opinion, falënderojnë të gjithë ata që ndanë kohë dhe mjete financiare për të mbështetur, siç janë shprehur ata, një nga projektet më të rëndësishme atdhetare në historinë e vendlindjes sonë, pra të ndërtimit të shtatores së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.
“Simbolika e bashkimit, të cilën kryeheroi ynë e promovoi gjatë gjithë jetës së tij, nxiti edhe popullin dhe komunitetin tonë që të unifikohet, ku me veprimin e përbashkët të shoqatave “Malësia e Madhe NY”, “Malësia e Madhe Michigan”, “Malësia në Kaliforni” dhe “Jehona e Malësisë”, përmes këtij procesi, bënë të mundur që të gjithë bashkëkombësit tonë, të bëhen pjesë e historisë kombëtare, duke kontribuar dhe duke mbështetur këtë kauzë atdhetare” theksohet në kumtesën e shoqatave atdhetare.
Nga këto shoqata shprehen se, edhe pse nuk kishte as mungesë fondesh dhe as mungesë vendosmërie, shoqatat unanimisht vendosen qe t’i jepet mundësia që të kontribuojë secili që kishte dëshirë në pjesëmarrjen e këtij projekti.
Ndër të tjera, ata shprehen se, paratë për realizimin e projektit, asnjëherë nuk janë vënë në pikëpyetje, sepse, shprehen ata, projekti i ndërtimit të shtatores do të financohej lehtësisht nga buxhetet e katër shoqatave tona, “por nga ana humane nuk mund të lejonim që në këtë projekt madhor kombëtar të mos përfshiheshin vëllezërit dhe motrat tona”.
Ndërkohë, nga shoqatat në fjalë kanë bërë të ditur se Skënderbeu “do të vijë” në Tuz, më 28 nëntor, në Ditën e Flamurit. “Do të përurojmë solemnisht shtatoren për nder të tij në një atmosferë vëllazërore dhe kombëtare. Edhe një herë, të katër shoqatat njëzëri falënderojmë të gjithë ata që morën pjesë në këtë projekt dhe ju njoftojmë se do të publikojmë emrat e të gjithë personave që kontribuuan, përfshirë shumën monetare dhe të gjitha detajet e tjera” theksohet në kumtesën për opinion të katër shoqatave atdhetare.
Kujtojmë se Kuvendi i Komunës së Tuzit në seancën e 20 korrikut 2023, unanimisht miratoi vendimin mbi ngritjen e përmendores së heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Tuz.
Në dokumentin e propozim-vendimit, përkatësisht në Nenin 1 të tij theksohet se përmendorja do të jetë prej bronzi të derdhur, dimensionet e bustit në kalë janë: lartësia 5m, lartësia e përgjithshme me shpatë në dorë nga piedestali arrin 6m, lartësia e kalit nga këmba në kokë është 4 m, dhe gjatësia 4,20 m. Sipas vendimit në fjalë, përmendorja do të vendoset në një piedestal prej blloqesh guri natyror me përmasa 4 m gjatësi, 3 m lartësi dhe 2 m gjerësi.
Përmendorja e Skënderbeut do të ngrihet në Shesin e Ri të Tuzit.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat