Simbolet kombëtare të shqiptarëve dorëzohen në Kuvendin e Malit të Zi

Podgoricë – Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, Faik Nika, sekretari Lindon Gjelaj dhe deputeti Genci Nimanbegu u pritën të enjten nga kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, mr. Aleksa Beçiq.
Takimi u zhvillua me rastin e dorëzimit të etalonit të stemës, flamurit dhe partiturës së Himnit kombëtar të shqiptarëve në Malin e Zi në zyrën e kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi.
“Për shqiptarët ky është një moment i veçantë, sepse shënon plotësimin e një prej kërkesave tona themelore në promovimin dhe ruajtjen e identitetit tonë kombëtar”, ka shkruar kryetari i KKSH-së në profilin e tij në rrjetin social Facebook.
Nika ka treguar se në takim është diskutuar “edhe për çështjet dhe sfidat me të cilat ballafaqohen sot shqiptarët në Malin e Zi, në përpjekjet tona të vazhdueshme për ruajtjen nga fenomeni i asimilimit dhe emigrimit”.
Ndërkaq, në deklaratën për shtyp të Kuvendit të Malit të Zi thuhet se kryetari Beçiq ka theksuar që të gjithë pjesëmarrësit e jetës politike duhet të kontribuojnë në krijimin e kushteve ku pjesëtarët e popujve pakicë do t’i realizojnë të drejtat e tyre.
Ai ka lavdëruar pjesëmarrjen aktive të KKSH-së, duke vlerësuar se kjo i kontribuon ndërtimit të harmonisë shumënacionale dhe multifetare.
“Obligimi ynë i përbashkët është të ndërtojmë urat e bashkëpunimit, sepse vetëm Mali i Zi qytetar mund të jetë i fuqishëm”, ka theksuar Beçiq.
Bashkëbiseduesit janë pajtuar për vazhdimin e bashkëpunimit institucional më qëllim avancimin e të drejtave të pakicave kombëtare.
Në bazë të Ligjit për zgjedhjen, përdorimin dhe shfaqjen publike të simboleve nacionale është përcaktuar se etaloni i stemës dhe flamurit, si dhe partitura e Himnit caktohet me vendim të Këshillit të popullit pakicë ose bashkësisë së pakicës kombëtare tjetër, kurse shembujt autentikë të simboleve kombëtare të pakicave ruhen te kryetari i Kuvendit të Malit të Zi.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat