Ulqin – Kuvendi i Katërt i Elektorëve për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi është shtyrë për shkak të mungesës së kuorumit.
Në kuvendin e mbajtur të shtunën (11 maj 2024) në Qendrën e Kulturës në Ulqin kanë marrë pjesë 114 elektorë nga 203 elektorë të ftuar.
Në bazë të Rregullave për zgjedhjen e anëtarëve të këshillit të popullit pakicë apo bashkësisë nacionale të pakicës tjetër, të miratuara nga Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave në vitin 2017, përcaktohet që Kuvendi i elektorëve mund të mbahet nëse janë të pranishëm më shumë se dy të tretat e elektorëve të thirrur.
Këtë e ka vënë në dukje elektori Ibër Hoti, përndryshe nënkryetar i deritashëm i KKSH-së.
Megjithëse nga disa elektorë ka pasur propozime për vazhdimin e Kuvendit të Elektorëve, pas dhënies së pauzës dhe konsultimeve kryesuesi Hajrullah Hajdari ka vendosur për shtyrjen e mbajtjes së Kuvendit.
Kuvendi i Tretë i Elektorëve të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi është mbajtur më 13 maj 2018.
i. k.