Podgoricë – Qeveria e Malit të Zi ka miratuar të premten Informatën mbi ndryshimet dhe plotësimet e planifikuara të Ligjit mbi regjistrat e vendbanimit dhe vendqëndrimit, sipas së cilës shtetasi i Malit të Zi i cili planifikon të largohet nga shteti dhe të jetojë jashtë duhet të çregjistrojë vendbanimin në Malin e Zi.
Sipas Qeverisë, me këtë Informatë janë prezantuar gjetjet kryesore që burojnë nga analiza e kuadrit legjislativ, qëllimi përfundimtar i së cilës është rregullimi i regjistrit të votuesve dhe kthimin e besimit të qytetarëve në procesin e votimit.
Për këtë qëllim, Ministria e Punëve të Brendshme ka hartuar Projekligjin mbi ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit mbi regjistrat e vendbanimeve dhe vendqëndrimeve, që do të dërgohet në shqyrtim publik.
Qeveria e Malit të Zi e ka arsyetuar këtë nismë për shkak se vetëm rregullimi i çështjes së vendbanimit do të thotë regjistër votues të saktë dhe preciz.
Lidhur me këtë, Ministria e Punëve të Brendshme ka formuar grupin e punës për hartimin e ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit, i cili ka hartuar aktin në fjalë, sipas të cilit mundësia e çregjistrimit të vendbanimit është ndryshuar duke u bërë i detyrueshëm.
“Gjithashtu, në mënyrë që të krijohet një zgjidhje e qëndrueshme si dhe të rrumbullakësohet kjo njësi legjislative, janë propozuar edhe ndërhyrje të tjera në tekstin e ligjit në fuqi”, kanë deklaruar nga Qeveria e Malit të Zi.
Paralajmërimi i këtyre ndryshimeve në Ligjin mbi regjistrat e vendbanimeve dhe vendqëndrimeve ka ngjallur reagime të shumta, qoftë te partitë e opozitës, por edhe tek organizatat që tubojnë diasporën nga Mali i Zi në vende të ndryshme të botës, duke e cilësuar këtë si një veprim të qëllimshëm të shumicës, që shkel të drejtat e njeriut dhe të shtetasve të Malit të Zi që për arsye të ndryshme jetojnë jashtë vendit.
(Kohapress)
