Shqiptarët në Malin e Zi do ta kenë përkrahjen tonë të pakursyer

Ulqin – Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, ka pritur të shtunën (22 qershor 2024) Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu, e cila shoqërohej nga ambasadorja e Kosovës në Podgoricë, Ariana Zherka – Hoxha dhe shefja e kabinetit të Presidentes, Learta Hollaj.
Në deklaratën për shtyp të zyrës së kryetarit të Komunës së Ulqinit thuhet se presidentja Osmani e ka përgëzuar kryetarin Nimanbegu për detyrën e re në krye të këtij qyteti me histori, kulturë dhe traditë mbarëshqiptare.
“Ulqini përherë është jo vetëm pikë turistike, por edhe shtëpi e dytë për kosovarët, duke manifestuar bujarinë e pakursyer. Si vëllezërit e motrat tona, por edhe duke qenë popull shtetformues në Mal të Zi, shqiptarët në këtë shtet do ta kenë përkrahjen tonë të pakursyer”, ka shkruar në rrjetin shoqëror Facebook presidentja e Kosovës.
Kryetari i Komunës së Ulqinit e ka falënderuar Osmanin për vizitën e saj në qytetin e Ulqinit.
“Për ne populli i Kosovës dhe institucionet e Kosovës kanë qenë, janë dhe do të mbeten rruga e ngritjes intelektuale, kulturore e turistike, për të cilën ju jemi mirënjohës të përjetshëm.
Rruga jonë e përbashkët e dy shteteve tona Kosovë – Mali i Zi drejt integrimeve evropiane, marrëdhëniet e mira ndërshtetërore, thellimi i bashkëpunimit në nivele të ndryshme do të jetë motoja mbi të cilat do t’i ndërtoj politikat e institucionit që unë drejtoj”, ka theksuar Nimanbegu.
Në takim morën pjesë edhe ministri i të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave në Mal të Zi, Fatmir Gjeka, nënkryetari i Komunës së Ulqinit, Sabri Salaj, dhe drejtori i Organizatës Turistike Ulqin, Qazim Hoxhiq.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat