Ulqin – Në mbledhjen e tretë të jashtëzakonshme, të mbajtur të enjten (27 mars 2025), Kuvendi i Komunës së Ulqinit ka miratuar përfundimet ku shpreh shqetësimin e madh për procesin jotransparent në lidhje me nënshkrimin e marrëveshjeve për bashkëpunim në fushën e turizmit dhe zhvillimit të pasurive të paluajtshme ndërmjet Qeverisë së Malit të Zi dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe.
“Kuvendi i Komunës së Ulqinit me shqetësim të jashtëzakonshëm e sheh marrëveshjen midis Qeverisë së Malit të Zi dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, e cila mund të çojë në pezullimin e disa ligjeve të Malit të Zi, planeve hapësinore dhe procedurave të përcaktuara që kanë të bëjnë me zonën e Plazhit të Madh dhe Komunës së Ulqinit, dhe me këtë shprehim kundërshtimin tonë absolut”, theksohet në përfundimet e Kuvendit të Komunës së Ulqinit.
Në një prej përfundimeve thuhet se “organet e pushtetit lokal dhe qytetarët e Ulqinit kërkojnë përfshirjen aktive të komunitetit lokal në përcaktimin e kufijve përfundimtarë të zhvillimit të ardhshëm të Plazhit të Madh, duke u përmbajtur nga kufizimet që kemi theksuar dhe që lidhen me heqjen përfundimtare nga Plazhi i Madh”.
Sipas këshilltarëve të Kuvendit të Komunës së Ulqinit, “çdo vendim i Qeverisë së Malit të Zi, që do të bazohej në zhvillimin e ardhshëm, duke përfshirë tërë Plazhin e Madh, është i papranueshëm për pushtetin lokal, Kuvendin e Komunës dhe komunitetin lokal”.
Nga Kuvendi i Komunës së Ulqinit kanë bërë të ditur se me këto përfundime Komuna e Ulqinit do të njoftojë investitorin, Ambasadën e EBA-s në Mal të Zi dhe të gjitha institucionet e tjera ndërkombëtare.
Seanca e Kuvendit është përshkuar nga diskutime të ashpra dhe me tone kritike ndaj Qeverisë së Malit të Zi dhe sjelljes së saj ndaj Ulqinit.
Përfundimet janë miratuar njëzëri nga të gjithë këshilltarët e pranishëm në Kuvendin e Komunës së Ulqinit.
Më herët, në një seancë tjetër të jashtazakonshme, të mbajtur më 21 mars 2025, Kuvendi i Komunës së Ulqinit ka miratuar njëzëri përfundimet ku përcaktohen parimet për projektet e ardhshme investuese në këtë komunë si dhe shprehet shqetësimi për menaxhimin e deritashëm të bregdetit nga Ndërmarrja Publike “Të Mirat Detare”.
i. k.
Nimanbegu dhe Gjeka, takime me përfaqësues diplomatikë
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, dhe ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, Fatmir Gjeka, janë takuar të premten (28 mars 2025) me shefin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi, Johann Sattler, Ambasadorin e Republikës së Gjermanisë, Peter Felten, dhe Ambasadoren e Republikës së Italisë, Andreina Marsella.
“Ky takim ishte një mundësi e rëndësishme për të ndarë shqetësimet tona në lidhje me zhvillimet e fundit që prekin Plazhin e Madh dhe të ardhmen e komunës sonë. Si kryetar i Komunës së Ulqinit, dua të theksoj qartë se Ulqini mbetet i hapur për investime dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Megjithatë, ky zhvillim duhet të jetë transparent, në harmoni me interesat e qytetarëve tanë dhe në përputhje me planet hapësinore të miratuara”, ka deklaruar pas këtij takimi Nimanbegu.
Ai ka treguar se gjatë takimit u kanë dorëzuar përfaqësuesve të misioneve diplomatike përfundimet e miratuara në Kuvendin e Komunës së Ulqinit.
“Si kryetar i Komunës së Ulqinit qëndroj fuqishëm në mbrojtje të interesit publik dhe zhvillimit të qëndrueshëm të qytetit tonë. Jemi të përkushtuar për të ruajtur identitetin, resurset natyrore dhe mundësitë ekonomike të Ulqinit, duke respektuar ligjet dhe standardet evropiane”, ka theksuar Nimanbegu.