Shkëmbim rinor Luginë e Preshevës – Ulqin – Malësi

Një grup të rinjsh shqiptarë nga Lugina e Preshevës zhvilluan më 6-7 nëntor 2025 një vizitë njohëse në komunat shqiptare të Malit të Zi, me synim forcimin e bashkëpunimit kulturor, arsimor dhe rinor ndërmjet shqiptarëve në rajon.
Vizita e tyre nisi në qytetin e Ulqinit, në ambientet e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, ku të rinjtë u pritën nga kryetari i KKSH-së, Faik Nika me bashkëpunëtorë, dhe Nazif Veliqi, përfaqësues i organizatave rinore. Ky aktivitet u organizua me mbështetjen e dy këshillave kombëtare dhe pason takimin e zhvilluar më herët në Ulqin.
Kryetari i KKSH-së, Faik Nika, u shpreh se ky aktivitet ka rëndësi të veçantë për ndërtimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet të rinjve shqiptarë në rajon.
“Ky takim vjen si rezultat i bashkëpunimit të KKSH në Mal të Zi dhe KKSH në Serbi. Pas takimit që patëm para disa muajsh në Ulqin, u dakorduam që në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit që kemi si dy këshilla, të nisim disa nisma të përbashkëta. Kjo është iniciativa dhe projekti i parë që vendosëm ta realizojmë: bashkëpunimi dhe vizitat e ndërsjella të të rinjve nga Lugina e Preshevës në trojet shqiptare në Mal të Zi dhe anasjelltas, pra që të rinjtë nga Mali i Zi të vizitojnë Luginën e Preshevës”, theksoi ai.
Sipas Nikës, ky është një ndër momentet më të bukura dhe më të dëshirueshme, sepse u jep mundësi të rinjve shqiptarë të njihen mes tyre dhe të njohin më mirë trevat shqiptare në të gjithë rajonin.
“Besoj fort se qëllimi i kësaj vizite dhe i vizitave të ngjashme është forcimi i integrimit ndërshqiptar në rajon. Para se shtetet tona të integrohen në Bashkimin Evropian, ne si shqiptarë kemi shumë nevojë të integrohemi mes vetes, të njihemi më mirë me njëri-tjetrin, në mënyrë që të krijojmë sinergji për projekte të përbashkëta, për qëllime dhe nisma të përbashkëta, që do të kenë fokus të veçantë ruajtjen e identitetit kombëtar, vlerave tona, gjuhës, kulturës, simboleve dhe traditave”, ka thënë ai.
Kryetari i KKSH-së ka theksuar se ky është qëllimi kryesor i të gjitha përpjekjeve të tyre për bashkëpunim.
“Shqiptarët në rajon janë faktorë të rëndësishëm dhe mbështetës të integrimeve evropiane, por një ndër prioritetet tona të brendshme mbetet integrimi ndërshqiptar”, ka thënë Nika, duke falënderuar bashkëpunëtorët në realizimin e këtij projekti: Gzim Muratin nga Shoqata “The Future”, Besfort Sulejmanin – koordinator i Zyrës për të Rinjtë pranë kabinetit të kryetares së Komunës së Preshevës, kryetarin e OJQ “Horizonti i Ri”, Nazif Veliq, si dhe koordinatorin e Shoqatës “Alb Progress”, Ilir Gojçaj, të cilët i kanë shoqëruar të rinjtë gjatë vizitës, duke i njohur nga afër me bukuritë natyrore dhe veçoritë kulturore e historike të Ulqinit dhe Malësisë.
Ndërkaq, kryetari i OJQ “Horizonti i Ri”, Nazif Veliq, theksoi rëndësinë e shkëmbimeve rinore për zhvillimin e ideve të reja dhe nxitjen e aktivizmit qytetar.
“Këto takime janë më shumë se vizita – ato janë investim në të ardhmen e bashkëpunimit mes të rinjve shqiptarë në rajon”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i OJQ “The Future”, Gëzim Murati, vlerësoi angazhimin e të rinjve pjesëmarrës.
“Entuziazmi i tyre tregon se të rinjtë tanë janë të gatshëm të ndërmarrin nisma që sjellin ndryshim pozitiv në komunitet. Të rinjtë në Luginën e Preshevës përballen me sfida të shumta, përfshirë mungesën e mundësive për punësim dhe mosnjohjen e diplomave universitare, që kufizon zhvillimin profesional të tyre. Përmes këtyre nismave bashkëpunuese synohet që zëri i të rinjve nga Lugina të dëgjohet më qartë dhe të kërkohen zgjidhje konkrete për sfidat e tyre”, deklaroi Murati.
Ndërsa Besfort Sulejmani, koordinator i Zyrës për të Rinjtë në kabinetin e kryetares së Komunës së Preshevës, tha se bashkëpunimi ndërmjet organizatave rinore do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
“Kjo vizitë është vetëm fillimi i një rrjeti bashkëpunimi që do të zgjerohet me projekte të përbashkëta në fushën e arsimit, kulturës dhe zhvillimit lokal”, shtoi ai.
Sipas programit, të rinjtë morën pjesë në disa vizita kulturore e historike, përfshirë Librarinë “Ulqini”, Kalanë e Ulqinit, ku u njohën me kompleksin muzeal, Sheshin e Servantesit, Pallatin Venezia etj. Po ashtu, ata vizituan Plazhin e Vogël, Tyrben e Fanëve dhe Xhaminë e Detarëve, ndërsa pasditen e ditës së enjte udhëtuan drejt qytetit antik të Shasit, të shoqëruar nga një ciceron profesionist. Të rinjtë u njohën me trashëgiminë historike të kësaj zone, duke shprehur dëshirën për më shumë aktivitete të ngjashme në të ardhmen.
Ndërsa dita e dytë (e premte, 7 nëntor 2025) ishte e rezervuar për vizitën në Malësi.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat