Në kuadër të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) në Bërdo të Sllovenisë u mbajt Samiti i vendeve të këtij procesi, në të cilin ka marrë pjesë edhe kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq.
Përpos tij, në Samit kanë morën pjesë edhe kryeministri i Sllovenisë, Mirosllav Cerar, ai i Kosovës, Ramush Haradinaj, kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov, i Kroacisë Andrej Plenkoviq, kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Denis Zvizdiq, si dhe zyrtarë të lartë të Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë, Moldavisë, Rumanisë, Greqisë dhe Turqisë.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, vendi i të cilit do të kryesojë SEECP-në pas Sllovenisë, gjatë periudhës 2019-2020, ka theksuar përkushtimin dhe angazhimin e Kosovës në forumet dhe iniciativat e bashkëpunimit rajonal, me qëllim të arritjeve të standardeve të duhura për Kosovën dhe rajonin drejt integrimit të plotë në strukturat evropiane.
“Kosova po e dëshmon përkushtimin e saj në ndërtimin e raporteve korrekte me fqinjët dhe vendet e Evropës Juglindore, duke qenë pjesë dhe kontribuar në nismat dhe angazhimet e përbashkëta, në të mirë të paqes dhe të ardhmes”, ka thënë ai.
Në Samit janë shkëmbyer mendime mbi ngjarjet aktuale në vendet e Evropës Juglindore në kontektstin e bashkëpunimit rajonal, si dhe përparimin e këtyre vendeve në procesin e integrimeve evropiane dhe është emëruar sekretari i përgjithshëm i Qendrës Rajonale për Bashkëpunim, si trup i SEECP-së.
SEECP është një proces rajonal i institucionalizuar, i koordinuar nga shteti që mbanë kryesinë në detyrë. Misioni i tij kryesor është të nxisë perspektivën e BE-së për Evropën Juglindore dhe të punojë drejt lidhjes, sigurisë, stabilitetit dhe përparimit ekonomik të rajonit.
Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) filloi në vitin 1996, në Sofje, me synimin për të forcuar bashkëpunimin dhe besimin rajonal. Pjesëmarrës në SEECP janë: Mali i Zi, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Hungaria, Kosova, Maqedonia, Moldavia, Rumania, Serbia, Turqia dhe Sllovenia.
(Kohapress)
