Mali i Zi ka dënuar njohjen e pavarësisë nga Rusia të rajoneve separatiste të Donjeckut dhe Luganskit në Ukrainë si dhe ndërhyrjen e trupave ruse në këto dy rajone.
“Dënojmë të gjitha aktet e njohjes së rajoneve të Donjeckut dhe Luganskit si entitete të pavarura, me të cilat shkelet e drejta ndërkombëtare dhe rendi ndërkombëtar i bazuar në ligj”, ka theksuar kryetari i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.
Ai ka thënë se Mali i Zi përsërit mbështetjen e qartë për pavarësinë, integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.
Edhe zëvendëskryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë se vendimi i Federatës Ruse për njohjen e pavarësisë së rajoneve të vetëshpallura të Donjeckut dhe Luhanskit cenojnë ndjeshëm sigurinë dhe ligjin ndërkombëtar.
Ai bëri thirrje që përmes dialogut të gjenden zgjidhjet më të mira, të ruhet paqja dhe të promovohet toleranca.
“Mali i Zi qëndron me vendosmëri me aleatët e tij të NATO-s dhe partnerët e BE-së në dëshirën për të kontribuar në zgjidhjen e krizës dhe ruajtjen e integritetit territorial të çdo vendi”, ka thënë Abazoviq.
Lidhur me ngjarjet e fundit në raportet ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës kanë reaguar edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi.
Përmes një cicërime në Twitter, nga kjo ministri kanë deklaruar se vendimi i Rusisë për të njohur republikat e vetëshpallura popullore të Donjeckut dhe Luhanskit është një shkelje e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, marrëveshjes së Minskut dhe të drejtës ndërkombëtare.
“Mali i Zi qëndron i bashkuar me aleatët e tij të BE-së dhe NATO-s në mbështetje të Ukrainës”, thuhet në deklaratë.
Marrëdhëniet e mira mes Malit të Zi dhe Rusisë janë përkeqësuar që nga aneksimi i Krimesë nga Rusia, kur Podgorica zyrtare, duke ndjekur politikën e Bashkimit Evropian, iu bashkua sanksioneve të vendosura nga Brukseli ndaj Rusisë. Marrëdhëniet u përkeqësuan më tej nga pranimi i Malit të Zi në NATO në vitin 2017, ndaj të cilit Moska zyrtare reagoi ashpër.
(Kohapress)
