Plavë – Në seancën e Kuvendit të Komunës së Plavës, të thirrur me nismën e 1/3 të këshilltarëve të Kuvendit, që është mbajtur të hënën, më 25 janar 2021, në sallën e vogël të Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq”, ku ishin të pranishëm 18 këshilltarë prej gjithsej 31 sa numëron Kuvendi, është shkarkuar nga detyra kryetari i Kuvendit të Komunës, Shefket Jevriq, por nuk është zgjedhur kryetari i ri në vend të tij.
Propozimi për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit të Komunës ka qenë pikë e vetme e propozuar e rendit të ditës, mirëpo, me propozimin e kryetarit të komunës, Nihad Canoviq, ai u plotësua edhe me një pikë të re – Propozimin e vendimit mbi plotësimin e vendimit për zgjatjen e përkohshme të shfrytëzimit të deponisë së hedhurinave në lokalitetin “Jerina” mbi fshatin Martinaj.
Nismën për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit të Komunës e kanë mbështetur me nënshkrimet e veta 13 këshilltarë të Socialdemokratëve të Malit të Zi dhe të Partisë Boshnjake, me arsyetimin se kryetari i Kuvendit të Komunës së Plavës, Shefket Jevriq, në shumë raste ka vepruar në kundërshtim me dispozitat e Statutit të Komunës së Plavës dhe Rregullores mbi punën e Kuvendit të Komunës së Plavës dhe në këtë mënyrë funksionin e vet të kryetarit të Kuvendit nuk e ka kryer me ndërgjegje dhe profesionalizëm, në harmoni me Ligjin dhe me Statutin e Komunës. Shkarkimi i kryetarit të Kuvendit, po ashtu argumentohet edhe me të dhënën se me nenin 63 të Komunës së Plavës, parashihet se kryetarit të Kuvendit të Komunës i pushon mandati sipas fuqisë ligjore për shkak të fitimit të së drejtës në pensionin e pleqërisë, ashtu që me verifikimin në dosjen personale është vërtetuar se kryetari aktual i Kuvendit të Komunës së Plavës, veç i ka plotësuar dy kushtet për fitimin e të drejtës në pension: me mbi 68 vjet moshë jete dhe së paku me 30 vjet përvojë pune, ashtu që në bazë të dhënave të parashtruara edhe është kërkuar me arsye shkarkimi i tij nga posti i kryetarit.
Punën e seancës së Kuvendit, në mungesë të kryetarit aktual Shefket Jevriq, i cili Kuvendin bashkë me pesë këshilltarë të PDS-së e ka braktisur në seancën e mbajtur më 21 dhjetor 2020, në të cilën është shkarkuar kryetari i Komunës, Mirsad Bajraktareviq, dhe ashtu duke kaluar në opozitë, e ka drejtuar këshilltari i Partisë Boshnjake, Besim Musiq.
Pas aprovimit njëzëri të rendit të plotësuar të ditës prej dy pikash, në votimin publik me aklamacion, prej 18 këshilltarëve të pranishëm në seancë, për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Shefket Jevriq, kanë votuar 16 këshilltarë të shumicës (9 të Socialdemokratëve dhe 7 të Partisë Boshnjake), kurse 2 këshilltarë (të PDS-së dhe Alternativës Shqiptare) kanë qenë të përmbajtur.
Me shkarkimin e kryetarit aktual, Kuvendi i Komunës së Plavës ka mbetur pa kryesues, pra, pa kryetar, sepse në seancë nuk është zgjedhur kryetari i ri.
Pika plotësuese e rendit të ditës, e propozuar nga kryetari i Komunës Canoviq, është miratuar njëzëri.
Shumicën qeverisëse në Kuvendin e Komunës së Plavës, që nga shkarkimi i kryetarit të Komunës, Mirsad Bajraktareviq, në seancën e 21 dhjetorit, e përbëjnë 16 këshilltarë (9 të Socialdemokratëve te Malit të Zi dhe 7 të Partisë Boshnjake), kurse 15 këshilltarë (7 të PDS-së, 3 të PSD-së, 2 të Koalicionit Fronti Demokratik – Partia Popullore Socialiste, 1 i Alternativës Shqiptare, 1 i Grupit të Qytetarëve “Zgjedhim Plavën” dhe 1 këshilltar i pavarur) janë në opozitë.
Shaban Hasangjekaj
