Në ndeshjen e futbollit të Ligës së Dytë të Malit të Zi, të zhvilluar të dielën ndërmjet skuadrave “Grbal” e Kotorrit dhe “Otrant” i Ulqinit, ishim dëshmitarë dhe dëgjuam sërish nga grupe të tifozëve të skuadrës pritëse, klithma histerike me përmbajtje raciste kundër shqiptarëve si: “Vritni, therni, që shqiptari të mos ekzistojë”. Këto thirrje rishfaqen jo rrallë herë në arenat sportive në Mal të Zi dhe jo vetëm, janë identike me ato që kemi dëgjuar pothuajse para dhjetë vjetëve, në ndeshjen ndërmjet kombëtares së Serbisë dhe Shqipërisë, më 14 tetor 2014, të zhvilluar në Beograd. Fatkeqësisht ripërsëriten e ripërsëriten! Siç duket, emancipimi, integrimi e toleranca ndëretnike te ne, ecin me hapin e breshkës, ose bëjnë një hap para e dy prapa. Nga ana tjetër, siç duket, për kultivimin dhe ripërtëritjen e frymës së urrejtjes dhe mostolerancës luajnë rol shumë aktorë e faktorë të cilët funksionojnë sot në shoqërinë tonë dhe ndihen komodë në misionin e tyre. Për ne, si institucion përfaqësues i shqiptarëve në Malin e Zi, shfaqje të tilla janë shqetësuese, janë tregues të mostolerancës e urrejtjes ndëretnike që ekziston në radhët e shoqërisë sonë, prandaj pavarësisht se nga vijnë janë absolutisht të papranushme dhe të dënueshme. Po ashtu kërkojmë që fenomene dhe shfaqje të tilla të urrejtjes me baza etnike të dënohen fuqishëm dhe qartë nga të gjitha institucionet e sistemit, duke filluar nga Federata e Futbollit e Malit të Zi, Mbrojtësi i të drejtave dhe lirive të njeriut i Malit të Zi – Ombudsmani, institucionet shtetërore dhe ato ndërkombëtare me mision në Mal të Zi. Urojmë e kontribuojmë që vendi ynë të integrohet në familjen e vendeve të zhvilluara perëndimore, duke lënë pas fenomene e klithma të tilla nga fantazmat e së kaluarës që të mos rishfaqen në të ardhmen, por përderisa ato rishfaqen ne jemi këtu për të reaguar dhe për t’i denoncuar.
(Kohapress)