Plavë – Në vazhdimin e seancës konstitutive të Kuvendit të Komunës së Plavës, të mbajtur të hënën, më 30 korrik, kryetar i Kuvendit të kësaj komune, në mandatin e ardhshëm katërvjeçar, është zgjedhur Shefket Jevriq, kryetar i deritanishëm i Organizatës Komunale të PDS-së së Plavës. Deri në zgjedhjen e Jevriqit për kryetar, seancën e Kuvendit e ka kryesuar këshilltari më i moshuar i përbërjes së re të parlamentit lokal, pensionisti Medo Markishiq.
Shefket Jevriqin për kryetar të Kuvendit e ka propozuar këshilltarja e PDS-së, dr. Sabina Markishiq. Siç ka argumentuar, Jevriqin për kryetar e kanë përkrahur dhe përmbajtur të gjithë këshilltarët e partive që do ta përbëjnë koalicionin e pushtetit të ardhshëm.
Lideri, por edhe këshilltari i Partisë Boshnjake, Damir Gutiq, ka pritur që propozuesja Markishiq më hollësisht të arsyetojë propozimin e vet, por ka shtuar se klubi i këshilltarëve të PB-së do ta mbështesë Jevriqin.
“Të tregojmë dhe dëshmojmë zemërgjerësinë dhe kapacitetin tonë demokratik, me shpresë se do të arsyetojë besimin tonë dhe do të punojë e veprojë për të mirën e të gjithë qytetarëve të komunës”, është shprehur ai.
Prej 26 këshilltarëve të pranishëm, për Jevriqin kanë votuar 22 sish, nga radhët e Socialdemokratëve të Malit të Zi, PB-së, PDS-së dhe Alternativa Shqiptare “Ibër Hoti”, dy kanë qenë kundër (këshilltari i Demokratëve të Malit të Zi – Marko Vukoviq dhe këshilltari i Grupit të zgjedhësve në zgjedhjet lokale të Plavës – Orhan Shahmanoviq), ndërsa dy këshilltarët e PSD-së (Medo Markishiq dhe Aida Kollashinac) të përmbajtur.
Pas zgjedhjes kryetar, Jevriq ka falënderuar në besimin e dhënë duke theksuar që ka nder dhe kënaqësi, si dhe obligim të madh moral dhe politik ndaj partisë që i përket dhe të gjithë qytetarëve të Komunës së Plavës që të punojë dhe veprojë ashtu siç parashikojnë dispozitat ligjore dhe Kushtetuta.
“Do të përpiqem që ky institucion të punojë në atmosferë demokratike, të nxjerrim dhe të miratojmë vendime të mira dhe kualitative për të mirën e Komunës dhe Malit të Zi. Dyert e zyrës së kryetarit të KK-së për çdokënd do të jenë gjithnjë të hapura, pa marrë parasysh çfarëdo përkatësie të tyre. Ne jemi këtu për qytetarë të cilët na kanë zgjedhur dhe kanë treguar besimin që të qeverisim në mandatin e ardhshëm katërvjeçar. Dëshirojmë që Plavën ta shndërrojmë në kantier dhe t’ia kthejmë shkëlqimin që dikur ka pasur. Që në Plavë të vihet, që mirë të jetohet, e që sa më pak nga Plava të shkohet”, ka theksuar ai.
Në pyetjen e gazetarëve se kur do të zgjedhen dhe emërohen organet relevante të komunës, Jevriq është përgjigjur se në harmoni me parimet ligjore, në afatin sa më të shpejtë kohor do të thërrasim seancën e rregullt të Kuvendit në të cilën do të zgjedhin kryetarin e ri të komunës dhe organet e tjera të saj.
Në deklaratën për media, kryetari Jevriq ka bërë me dije se për formimin e pushtetit lokal në Plavë është lidhur koalicioni paszgjedhor në mes të Socialdemokratëve të Malit të Zi, PDS-së dhe Alternativës Shqiptare “Ibër Hoti”, e pas ca detajeve të imta që duhet t’i harmonizojnë, pritet nënshkrimi i marrëveshjes së koalicionit edhe me Partinë Boshnjake.
Në seancën në fjalë është miratuar njëzëri vendimi për pushimin e mandatit të kryetarit të deritanishëm të KK-së, Izet Haxhimushoviq.
Menjëherë pas përfundimit të seancës konstitutive, është mbajtur seanca e re, në të cilën është zgjedhur Këshilli shtat anëtarësh për zgjedhje dhe emërime, kryetare e të cilit u emërua këshilltarja e Socialdemokratëve, Sanija Srdanoviq. Pesë anëtarë të saj do të jenë nga koalicioni në pushtet, kurse dy nga opozita.
Dy këshilltarët e koalicionit në opozitë, Fronti Demokratik – PSP, për shkaqe të panjohura nuk kanë marrë pjesë në seancë. Sh. Hasangjekaj
