SHBA, partner i respektueshëm dhe vend mik i Malit të Zi

Podgoricë – Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, Mehmed Zenka, dhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Mal të Zi, Margaret En Uehara, kanë vlerësuar se SHBA është partner i respektueshëm dhe mik i rëndësishëm i Malit të Zi në rrugën drejt integrimeve evropiane dhe evro-atlantike.
Në deklaratën për shtyp të Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave thuhet se në takimin e zhvilluar të enjten, dy bashkëbiseduesit kanë konkluduar se Mali i Zi dhe SHBA, edhe në periudhën e ardhshme do të vazhdojnë forcimin e bashkëpunimit në fushën e avancimit të të drejtave dhe lirive të njeriut, të drejtave të popujve pakicë dhe barazisë gjinore.
Ministri Zenka ka falënderuar ambasadoren Uehara për mbështetjen gjithëpërfshirëse të vazhdueshme të SHBA-së ndaj Malit të Zi në fushën e integrimeve evro-atlantike, dhe ka shprehur pritjen se edhe procesi i ratifikimit të Protokollit të anëtarësimit të Malit të Zi në NATO do të përmbyllet me sukses këto ditë.
Ai ka vënë në pah suksesin që Mali i Zi ka arritur në fushën e respektimit të të drejtave të njeriut në bisedimet e paraanëtarësimit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
Zenka i konsideron shumë të rëndësishme ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit mbi organizimin territorial të Malit të Zi, zgjidhjet e të cilit do të mundësojnë që Komuna Urbane e Tuzit – Malësisë të realizojë mundësinë e fitimit të statusit të komunës së plotë.
Ndërsa lidhur me avancimin e të drejtave të popujve pakicë, Zenka ka theksuar që Propozimi i Ligjit mbi të drejtat dhe liritë e pakicave është në procedurën e Kuvendit të Malit të Zi, ndërsa këtë vit pritet edhe miratimi i Ligjit për zgjedhjen, përdorimin dhe shfaqjen publike të simboleve kombëtare.
Nga ana tjetër, ambasadorja Margaret En Uehara ka theksuar se SHBA do të vazhdojë të ofrojë mbështetje në çdo hap të mëtejshëm në proceset integruese të Malit të Zi, por edhe në forcimin e kapaciteteve të saj në këtë rrugë.
Ajo ka thënë se njëri prej qëllimeve kryesore strategjike të SHBA-së është forcimi i institucioneve demokratike dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut të të gjitha grupeve shoqërore.
Zenka dhe Uehara kanë konkluduar se është me rëndësi fakti që të dy shtetet e kanë njohur rëndësinë e përfshirjes së përfaqësuesve të pakicave në pozitat vendimmarrëse, në të gjitha fushat e jetës shoqërore dhe politike. (Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat