SHBA-ja qëndron pranë atyre që mbështesin një Mal të Zi sovran

Podgoricë – Zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, njëherësh i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë vizitës së tij treditore në Podgoricë dha mesazhin e mbështetjes së SHBA-së për Malin e Zi sovran dhe gjithëpërfshirës.
Ai është takuar me Presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, kryeministrin Zdravko Krivokapiq dhe zëvendëskryeministrin Dritan Abazoviq, kryetarin e Kuvendit të Malit të Zi, Aleksa Beçiq, ministrin e Financave dhe Përkujdesjes Sociale, Millojko Spahiq, përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediave etj.
Gjatë bisedës me kryeministrin malazez Krivokapiq, ai i ka kërkuar atij të mbajë fokusin në reformat e nevojshme për të përshpejtuar anëtarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian (BE), kanë thënë nga Ambasada e SHBA-së përmes një postimi në rrjetin social Twitter.
Sipas tyre, Escobar ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë përkrah gjithë atyre që mbështesin një Mal të Zi sovran, gjithëpërfshirës dhe qytetar.
Kryeministri malazez ndërkaq në një konferencë për media tha se Qeveria “ka treguar rezultate të dukshme” dhe se nga zyrtari amerikan ka marrë “mbështetje të parezervë për vazhdimin e rrugës së saj”.
“Me Escobarin u fol edhe për korrupsionin. Rezultatet e arritura nga qeveria tregojnë se ne mund të jemi një vend pa korrupsion dhe të reduktojmë krimin në minimum”, tha Krivokapiq.
Kryeministri bëri të ditur se ai dhe Escobar u pajtuan se lufta kundër korrupsionit dhe bashkëpunimi rajonal janë të një rëndësie më të madhe për të ardhmen evropiane të Malit të Zi.
Escobar gjatë bisedës me kryeparlamentarin malazez i ka shprehur shqetësimin e Uashingtonit zyrtar për regjistrimin e popullsisë, i cili, siç vlerësoi ai, mund të rrisë tensionet nacionaliste.
Fronti Demokratik pro-Serb (DF), partia më e fuqishme brenda koalicionit qeverisës, insiston në mbajtjen e regjistrimit sa më shpejt të jetë e mundur.
Ai pret që regjistrimi të tregojë se në Mal të Zi ka më shumë serbë sesa në regjistrimin e fundit të vitit 2011, kur 29 për qind e qytetarëve u deklaruan si serbë dhe 45 për qind si malazezë.
Sipas analistëve, vizita e Gabriel Escobarit në Podgoricë dhe mesazhet që ai u përcolli zyrtarëve malazezë janë një tregues se administrata e re amerikane e ka në fokus sërish Ballkanin Perëndimor dhe rrjedhimisht edhe Malin e Zi.
Vizita e zyrtarit të lartë amerikan në Podgoricë pason atë në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku ai takoi anëtarët e Presidencës tripalëshe të këtij vendi.

(Kohapress/REL)

Të fundit

më të lexuarat