SHBA-ja e përkushtuar në mbështetje të synimeve strategjike të Malit të Zi

Podgoricë – Ministri i të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Fatmir Gjeka, ka biseduar të premten me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Podgoricë, Judith Reising Reinke.
Në deklaratën për shtyp të Ministrisë së të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave thuhet se ministri Gjeka e ka njoftuar ambasadoren e SHBA-së me shkallën e realizimit të detyrimeve të Ministrisë, aktivitetet e punës dhe sfidat që i presin.
“Më së shumti obligime në periudhën e ardhshme kemi në fushën e kornizës normative. Jemi duke punuar në dy strategji të reja dhe në realizimin më të mirë të detyrimeve të tjera, duke pasur parasysh se gjatë pjesës më të madhe të vitit të shkuar Qeveria ka qenë në mandat teknik. Në fokus tani është miratimi i Ligjit mbi mbrojtjen e barazisë dhe ndalimin e diskriminimit si dhe themelimi i Drejtorisë për Mbrojtjen e Personave me Aftësi Ndryshe”, ka theksuar ai.
Ministri Gjeka ka thënë se mbështet Malin e Zi shumëetnik, shumëkonfesional dhe multikulturor, tolerant dhe të përkushtuar ndaj vlerave evropiane dhe beson se me përshpejtimin e realizimit të detyrimeve nga agjenda evropiane ai do ta përforcojë pozitën e vet të anëtares së parë të ardhshme të Bashkimit Evropian.
Ndërkaq ambasadorja Reinke ka potencuar rëndësinë e qëndrimit të Malit të Zi në rrugën evropiane.
Ajo ka përsëritur përkushtimin e SHBA-së në mbështetje të synimeve strategjike të Malit të Zi, që janë në përputhje me agjendën evropiane dhe euroatlantike, duke pasur parasysh se Mali i Zi është anëtar i NATO-s dhe kandidat serioz për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Reinke ka thënë se SHBA do të vazhdojë të përcjellë realizimin e politikave në fushën e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut si dhe ka vënë në dukje rëndësinë e bashkëpunimit me sektorin civil dhe komunikimin e mirë të politikave strategjike me qëllim të realizimit të aktiviteteve për zbatimin e tyre.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat