SHBA-ja dhe BE-ja të shqetësuara për hyrjen e partiveproruse në Qeveri

Podgoricë – Kuvendi i Malit të Zi votoi të martën (23 korrik 2024) rikonstruktimin e Qeverisë së 44-të të Malit të Zi, në krye me kryeministrin, Millojko Spajiq. Me këtë rikonstruktim, Qeveria tani ka shtatë nënkryetarë qeverie, njëzetepesë ministri, përfshirë dhe një ministër pa portofol.
Nënkryetar i qeverisë për siguri, mbrojtje, luftën kundër kriminalitetit dhe politikën e jashtme është, mr. Aleksa Beçiq; nënkryetar i Qeverisë për Arsimimin, Shkencën dhe Marrëdhëniet me Bashkësitë Fetare është, dr. Budimir Aleksiq; nënkryetar i Qeverisë për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe ministër i Punëve të Jashtme është, Ervin Ibrahimoviq; nënkryetar i Qeverisë për Punët e Jashtme dhe Evropiane- dr. Filip Ivanoviq; nënkryetar i Qeverisë për Infrastrukturë dhe Zhvillim Rajonal- Millutin Zogoviq; nënkryetar i Qeverisë për Sistem Politik, Sundim të Ligjit dhe Antikorrupsion- mr. Momo Koprivica; nënkryetar i Qeverisë për Politikë Ekonomike dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik- Nik Gjeloshaj.
Ndërkaq, ministër i Drejtësisë është, mr. Bojan Bozhoviq; ministër i Mbrojtjes- Dragan Krapoviq; ministër i Financave- Novica Vukoviq; ministër i Punëve të Brendshme- Danillo Sharanoviq; ministër i Administratës Publike- mr. Marash Dukaj; ministre e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit- prof. dr. Andela Jakshiq-Stojanoviq; ministër i Shëndetësisë- dr. Vojisllav Shimun; ministre e Punës, e Punësimit dhe e Dialogut Social- Naida Nishiq; ministër i Mirëqenies Sociale, Kujdesit ndaj Familjes dhe Demografisë- Damir Gutiq; ministre e Kulturës dhe Medias- dr. Tamara Vujoviq; ministër i Detarisë- Filip Radulloviq; ministre e Komunikacionit- Maja Vukiqeviq; ministër i Planifikimit Hapësinor, Urbanizmit dhe Pronës Shtetërore- Sllaven Radunoviq; ministre e Turizmit- mr. Simonida Kordiq; ministër i Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Zhvillimit të Veriut- Damjan Çullafiq; ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave- Vlladimir Jokoviq; ministër i Energjetikës- prof. dr. Sasha Mujoviq; ministër i Minierave, Naftës dhe Gazit- mr. Admir Shahmanoviq; ministër i të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave- Fatmir Gjeka; ministre e Punëve Evropiane- Maida Gorçeviq; ministër i Sportit dhe të Rinjve- Dragosllav Shqekiq; ministër i Zhvillimit Rajonal të Investimeve dhe i Bashkëpunimit me Organizatat joqeveritare- Ernad Suleviq; ministër i Diasporës- Mirsad Azemoviq dhe ministër pa Portofol i ngarkuar për Marrëdhëniet me Kuvendin e Malit të Zi- Millutin Butoroviq.
Me përbërjen e re të Qeverisë së Malit të Zi, partitë pro-ruse dhe pro-serbe kanë dy poste zëvendëskryeministrash dhe tri ministri, kurse boshnjakët një post zëvendëskryeministri dhe pesë ministri.
Ndërkohë, partitë opozitare në kuvendin e Malit të Zi e kanë kritikuar rikonstruktimin e Qeverisë së Malit të Zi, duke u shprehur se hyrja e partive pro-ruse dhe pro- serbe, nënkupton një qeveri e cila do të drejtohet nga Moska dhe Beogradi.
Ndërkaq, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq në lidhje me rikonstruktimin e Qeverisë është shprehur se me këtë vendim, sot jemi dëshmitarë të një tjetër mashtrimi dhe fyerjeje ndaj mendjes së shëndoshë të qytetarëve të Malit të Zi.
“Pasi u bë e qartë për qytetarët se ideja e ndryshimit është tradhtuar, rrënimi i jetës politike dhe i proceseve demokratike vazhdon. Mostransparenca, mungesa e parimeve dhe tregtia me interesat shtetërore, arrijnë kulmin me votimin e Qeverisë më të madhe në historinë e Malit të Zi, qëllimi i së cilës është mbrojtja e interesave individuale dhe jo përmirësimi i shoqërisë sonë dhe rruga evropiane e vendit” , është shprehur ndër të tjera, presidenti Millatoviq në postimin e tij në platformën digjitale X.
Ndërkaq, edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Mal të Zi ka shprehur shqetësimin për hyrjen e partive pro- ruse në Qeveri. Nga kjo ambasadë i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se, mbështesin një Qeveri të përkushtuar për anëtarësimin e shtetit në BE, respektimin e vlerave euroatlantike dhe pjesëmarrjen e plotë në NATO, që pasqyron përbërjen multikulturore të Malit të Zi.
“Ne jemi të shqetësuar për përfshirjen në Qeveri të partive dhe liderëve që nuk dënojnë agresionin rus kundër Ukrainës, janë kundër sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë dhe veprimet e të cilëve janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë”, tha Ambasada Amerikane.
Gjithashtu, në lidhje me rikonstruktimin e Qeverisë ka reaguar edhe Bashkimi Evropian ku përmes një njoftimi për media, ata janë shprehur se është thelbësore që forcat politike në Mal të Zi të vazhdojnë të veprojnë në mënyrë konstruktive për të ndërtuar konsensusin e nevojshëm për përparimin e reformave të lidhura me BE-në.
“Ne paralajmërojmë fuqishëm kundër çdo vendimi që mund të rrezikojë rrugën strategjike të vendit drejt BE-së, e cila mbështetet nga shumica dërrmuese e qytetarëve malazezë”, janë shprehur ndër të tjera nga BE-ja.
Kjo përbërje e Qeverisë prej njëzetepesë ministrish dhe shtatë nënkryetarësh Qeverie, është më e madhja në historinë e parlamentarizmit në Mal të Zi.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat