SHBA do të shpallë të padëshirueshëm politikanë të tjerë nga rajoni?!

Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës pritet që në janar të vitit të ardhshëm të shpallë të padëshirueshëm (non grata) politikanë dhe biznesmenë të tjerë nga Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Serbia dhe Republika Serbe.
Një institut i pavarur i sigurisë me seli në Beograd të Serbisë deklaroi se SHBA pritet të shpallin të tjerë politikanë dhe biznesmenë ‘non-grata’ në Ballkan.
Në një postim në Twitter, ky institut pohon se goditja e SHBA-së do të vijë në muajin janar të vitit të ardhshëm.
Zyrtarët që pritet të futen në ‘listën e zezë’ amerikane thuhet se vijnë nga Serbia, Republika Serbe, Mali i Zi dhe Kosova.
“Në janar, Shtetet e Bashkuara do të vendosin sanksione ndaj individëve nga Ballkani, bazuar në Ligjin Magnetik. Sanksionet do të vendosen ndaj një pjese të komunitetit politik dhe të biznesit në Serbi, Republika Serbe, Mal të Zi dhe Kosovë”, shkruan ky institut në Twitter.
Institucioni në fjalë thotë se është i përkushtuar ndaj sigurisë globale.
“Edhe pse jemi të vendosur në Ballkan, në Beograd, në Serbi, pikëpamjet tona për sigurinë moderne janë globale. Barrën e rëndë të së shkuarës sonë të afërt e konsiderojmë si një përvojë të rëndësishme dhe si një avantazh në punën tonë, sepse po e analizojmë në mënyrë profesionale, racionale dhe pa paragjykime”, thuhet në web-faqen e këtij instituti.
Drejtor i këtij instituti është Orhan Dragash, ish-politikan dhe aktivist i zëshëm në luftën kundër regjimit të presidentit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq në vitet ’90. Gjatë asaj kohe ai kishte organizuar dhe drejtuar aksione dhe fushata të shumta që synonin promovimin e të drejtave të njeriut, pajtimin në rajonin e Ballkanit dhe qëndrimin kundër luftës.
SHBA ka shpallur tashmë “non grata” ish-Presidentin, ish-kryeministrin, ish-kryetarin dhe deputetin aktual të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, gjë që çoi në përjashtimin e tij nga Grupi parlamentar, ish-kryeprokurorin e Shtetit të Shqipërisë, Adriatik Llalla, ish-deputetin Tomë Doshi, ish-kryetarin e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako etj.

(Kohapress/Express)

Të fundit

më të lexuarat